Thaçi jep një lajm të mirë për punëtorët e KEK-ut

4 javë më parë

Thaçi jep një lajm të mirë për punëtorët e KEK-ut

Drejtori Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi, u është drejtuar punëtorëve të kësaj kompanie me një lajm të mirë.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai u ka treguar se tashmë e ka nënshkruar vendimin për pagën jubilare, për të cilin vendim pati raportuar AktivPress ditë më parë.

Të nderuar/a punëtorë të KEK-ut, ju njoftoj se e kam nënshkruar vendimin për pagën jubilare.

Natyrisht kjo është meritore sepse siç e kam cekur në vazhdimësi, meritor të rezultateve të mira të Korporatës jemi të gjithë se bashku.

Duke u bazuar në kompetencat e pozitës dhe në përputhje të plotë me ligjin kam nënshkruar këtë vendim pas performancës pozitive që ka arritur korporata në të gjithë sektorët e saj në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Urime, suksese!“, ka shkruar Thaçi.

Postimit, ai ia ka bashkangjitur edhe faksimilin e vendimit të nënshkruar.

Në vendim thuhet se paga jubilare u njihet atyre që kanë përvojë, 10, 20, 30, apo 40 vjeçare në KEK.

Krahas kësaj, aty thuhet se punëtorëve u njihet edhe periudha kur janë larguar nga puna nga regjimi serb, nga viti 1990 deri në vitin 1999./AktivPress/