Thaçi e Veseli paditën nga Kurti e Konjufca, kjo është arsyeja

2 muaj më parë

Thaçi e Veseli paditën nga Kurti e Konjufca, kjo është arsyeja

Akuzat e Hashim Thaçit se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, bashkë me anëtarin tjetër të VV-së, Sadri Ramabajën, qëndrojnë prapa organizatës “Syri i Popullit”, kanë nxitur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje që të dorëzoi sot padi në Gjykatë kundër presidentit të Kosovës.

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Thaçi, në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u shpreh se ka informacione se pas “kësaj organizate kriminale qëndrojnë Sadri Ramabaja, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”.

“Nuk i kam kthyer sepse kam pasur informacione nga miq që e njohin se ai nuk din të shkruajë, por pastaj kam pranuar informacione se pas kësaj organizate kriminale qëndron Sadri Ramabaja, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, ka thënë Thaçi më 28 dhjetor.

Ndërkaq, sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me Glauk Konjufcën kanë ngritur kallëzim penal ndaj presidentit, Hashim Thaçi e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, lidhur me deklarimet e tyre në Gjykatë para katër muajsh.

Kurti ka thënë se Thaçi e Veseli kanë bërë deklarime të rrejshme kundrejt tyre, lidhur me dyshimet e ngritura për lidhjet e anëtarëve të VV-së me “Syrin e Popullit”.

“Me rastin e kallëzimit penal, këtu në prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda kundër Presidnetit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë Kurti.