Thaçi: Bashkimi i Gjermanisë, fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë

2 javë më parë

Thaçi: Bashkimi i Gjermanisë, fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë

Gjermania shënon sot 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit përmes një serie ngjarjesh, për të përkujtuar një moment përcaktues në historinë moderne të Evropës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në facebook shkruan se ndarja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte plagë e hapur në Evropë.

“Muri i Berlinit u bë simbol ku kufizoheshin bota e demokracisë perëndimore dhe ajo e diktaturës lindore. Rrëzimi i këtij muri 30 vjet më parë, ishte fundi i luftës së ftohtë, rënie e Perdes së Hekurt dhe bashkim i Gjermanisë”, shkruan Thaçi.

Ai tutje thotë se me rënien e Murit të Berlinit u sprovua epërsia e sistemit demokratik përballë atij komunist.

“Era e lirisë dhe demokracisë u përhap rrufeshëm në Evropën Lindore, por edhe në Ballkan. Bashkimi i Gjermanisë ishte fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Urime kombit gjerman”, përfundon Thaçi.

Rënia e murit më 9 nëntor, 1989, u pasua me një kryengritje paqësore dhe popullore në mbarë Gjermaninë Lindore komuniste, që ndodhi në mes të disa lëvizjeve në kombet e Evropës Qendrore që kontrolloheshin nga sovjetikët dhe që vendosën të shkëputeshin nga Moska dhe krijuan sisteme demokratike të stilit perëndimor.