Tetë tonë marihuanë shqiptare bllokohet në Itali

3 vite më parë

Tetë tonë marihuanë shqiptare bllokohet në Itali

Sipas mjeteve italiane të informimit Policia Financiare e qytetit të Ankonës ka sekuestruar në territorin e Venecias 8 tonë drogë e llojit marihuanë ngarkuar në një kamion me rimorkio, që kishte mbërritur me tragetin e linjës Shqipëri- Itali.

Njoftohet nga të njëjtat burime se është vënë nën pranga dhe drejtuesi i automjetit, një 38 vjeçar nga Maqedonia. Policia Financiare e Ankonës, sipas burimeve gazetareske italiane, është vënë në ndjekje të kamionit i cili fillimisht ka udhëtuar drejt Milanos e më pas ka ndryshuar drejtim për në Venecia.

Në një pikë furnizimi karburanti në provincën e Venecias, drejtuesi i kamionit ka braktisur rimorkon me ngarkesën e drogës dhe ka rinisur udhëtimin vetëm me kamion e tij.

Policia italiane nuk kanë dhënë hollësi mbi këtë ngjarje. Ndërkohë sasi marihuane janë bllokuar dy ditët e fundit dhe nga policia greke. Banorët e zonës së Qefalonisë në Korfuz njoftuan për gjetjen e disa dhjetra kilogramëve marihuanë në vijën bregdetare, ndërkohë që disa ditë më parë banorët e një ishulli tjetër,atij të Zakinthos, kishin zbuluar po një sasi marihuanë që kishte dalë në breg.

Edhe policia e Janinës zbuloi rreth 160 kilogramë marihuanë në dy operacione, njëri në periferi të Janinës dhe tjetri afër kufirit shqiptar. Policia greke ka ndaluar së fundi edhe një shtetas grek dhe një shtetas rus të akuzuar si përfshirë në trafikun e disa qindra kilogramëve marihuanë që u bllokuan pak ditë më parë në rajonin e Prevezës.