“Terminatori” dhe fati i tij i zi

5 ditë më parë

“Terminatori” dhe fati i tij i zi

Më në fund ka arritur “Terminator: Dark Fate” me Arnold Schwarzeneggerin dhe Linda Hamiltonin nën syrin vigjilent të James Cameronit, një vazhdim ky që i njeh vetëm T1 dhe T2 dhe megjithatë – filmi (tani për tani) ka dështuar, të paktën në fundjavën e hapjes.

Studioja Paramount nuk priste që në fundjavën e parë filmi t’i fitonte vetëm pak më shumë se 29 milionë dollarë në tregun e brendshëm (Amerikën e Veriut), ku filmi filloi të shfaqej në mbi 4.000 vende. Studioja thuhet se i priste të paktën 40 milionë dollarë pas fundjavës së parë në Amerikën e Veriut.

“Terminatori” i ri ka filluar të shfaqet edhe në pjesën tjetër të botës, ku gjithashtu nuk ka arritur ndonjë sukses të madh, rreth 94 milionë dollarë. Duke pasur parasysh se e kishte një buxhet prej të paktën 185 milionë dollarësh dhe nostalgjinë e përgjithshme për “Terminatorin” origjinal, rezultati është dështues. Cameron raportohet se me këtë film kishte planifikuar ta fillonte një trilogji të re, porse a do të ndodhë kjo do të shohim gjatë javëve të ardhshme në kinema, sepse ai do të duhej t’i fitonte të paktën 470 milionë dollarë për ta bërë atë pak a shumë fitimprurës.

Image

Dark Fate e sjell tregimin i cili vazhdon tek “Terminator 2” dhe e injoron ekzistencën e vazhdimeve të tjera, kështu që ky është në fakt “Terminator 3”, shkruan KOHA Ditore. Në këtë film Sarah Connor (Hamilton) e ka një mision të ngjashëm si më parë vetëm se nuk e mbron më John Connorin (fati i tij shpjegohet në film), por duhet ta mbrojë vajzën e re Dani Ramos nga kiborgu më vdekjeprurës nga e ardhmja.

Regjinë e filmit e ka bërë Tim Miller (Deadpool) sipas skenarit të shkruar nga David S. Goyer, Justin Rhodes dhe Billy Ray. Në rolet e tjera shfaqen Mackenzie Davis, Natalia Reyes dhe Gabriel Luna.

“Dark Fate” ka filluar të shfaqet edhe në kinematë tona nga 31 tetori.