Tenori i famshëm shqiptar shkon për ta uruar Dumoshin

1 muaj më parë

Tenori i famshëm shqiptar shkon për ta uruar Dumoshin

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim tenorin me renome ndërkombëtare Ramë Lahaj, i cili e vizitoi për t’i uruar marrjen e detyrës dhe ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ministrja e falënderoi tenorin Lahaj për kontributin dhe angazhimin e tij në fushën e kulturës në përgjithësi, e sidomos për promovimin e kulturës shqiptare nëpër Botë si dhe forcimin e imazhit të Kosovës nëpër ngjarje kulturore kudo që merr pjesë, njofton AktivPress.

Dumoshi, e informoi për planet dhe programin që pritet të realizohet në fushën e kulturës, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore fizike të kulturës ku veçoi objektin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” i cili është në fazën e vlerësimit të hartimit të tij dhe komisioni vlerësues do të themelohet shumë shpejt.

Ndërkaq, nga ana e tij, Lahaj, tha se është e nevojshme krijimi i hapësirave për artistët që të kenë ku të performojnë dhe mbështetja e kulturës do të jetë inkurajim që artistët e rinj të krijojnë edhe më shumë.