Tema e kufijve, tentim i politikanëve autoritarë që t’i ikin përgjegjësisë

4 javë më parë

Tema e kufijve, tentim i politikanëve autoritarë që t’i ikin përgjegjësisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur prerë të mërkurën në Tiranë, teksa ka prekur temën e kufijve në Ballkan.

Meta ka qenë i ashpër ndaj mbështetësve të tezës për ndryshimin e kufijve, shkruan sot Koha Ditore. Në fjalën e mbajtur në konferencën ndërkombëtare “Sfidat e sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e transicionit”, organizuar nga Qendra George C. Marshall për Studime të Sigurisë, Albanian Policy Center dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë, kreu i shtetit të Shqipërisë tha se tematizimi i prekjes së kufijve janë përpjekje të politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaridhëniet e brendshme, për të provuar tema që spostojnë vëmendjen e opinionit.

“Kam dëgjuar shpesh që thonë, ore pse të mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Po pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë se folklorizëm janë një diabolizëm i gjallë. Janë përpjekje e politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaridhëniet e brendshme, për të provuar tema që spostojnë vëmendjen e opinionit. Është si në volejboll, Moza Ibrahimi me Ela Tasen, një pason, tjetri zhyt. Dhe ikin të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë sa shumë herë këtu në Ballkan. Bëhet fjalë për një rajon, Ballkani Perëndimor, 20 e ca milionë banorë, në një situatë kur pesha e Evropës nga pikëpamja ekonomike ka rënë në botë, pesha e kontinenteve të tjera është rritur, globalizmi vë në rrezik të gjithë vendet e vogla dhe ne thellojmë ndarjet për arsye personale”, tha Meta.