Telekomi edhe 4 ditë afat për t’ia shlyer borxhin Z-Mobile-it

3 muaj më parë

Telekomi edhe 4 ditë afat për t’ia shlyer borxhin Z-Mobile-it

Telekomit të Kosovës i kanë mbetur vetëm edhe katër ditë kohë për të shlyer borxhin prej më shumë se 25 milionë eurosh ndaj Z-Mobile.

Qeveria e Kosovës e as ministri i Zhvillimit Ekonomik nuk kanë kthyer përgjigje të martën nëse do t’i ndihmojnë financiarisht ndërmarrjes, raporton KTV.

Por nga Telekomi i kanë thënë KTV-së se janë duke punuar intensivisht dhe se besojnë që brenda një kohe shumë të shkurtër do t’i kenë të gjitha modalitetet e përfunduara rreth kësaj çështjeje.

Sipas tyre, vendimi përfundimtar do të jetë transparent dhe publik.

“Komisionet e brendshme, me autorizim të bordit dhe menaxhmentit, janë duke shqyrtuar çdo formë, e cila do të ishte e përballueshme për Telekomin dhe konform një projeksioni më afatgjatë, duke analizuar gjendjen në të cilën gjendemi”, ka thënë zëdhënësi i Telekomit, Arsim Bilalli.

Nga Z-Mobile kanë thënë se po presin zgjidhjen brenda afatit kohor, i cili u caktua me marrëveshjen e arritur mes Telekomit dhe Z-Mobile, me ndërmjetësim të MZHE-së.

“Ne jemi duke e pritur zgjidhjen brenda afatit që vetë palët e kanë kërkuar. Ne dëshirojmë që edhe në këtë rast të potencojmë se nuk qëndron se Telekomi po kalon në vështirësi financiare, për shkak të kontratës me Z Mobile. Kjo është ndërtuar artificialisht për të fshehur shpenzimet e tjera”, është thënë në një përgjigje nga Z-Mobile.

Shlyerjen e borxhit prej afro 26 milionë eurove, kompania “Z-Mobile” po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të vitit 2016.