Te “trajneri më i mirë në botë” suksesin e gjen edhe Dardani i familjes së xhudistëve

4 ditë më parë

Te “trajneri më i mirë në botë” suksesin e gjen edhe Dardani i familjes së xhudistëve

Dy vjet më parë, kur ishte 15-vjeçar, Dardan Cena u zhvendos nga Prishtina në Pejë dhe nisi të ushtronte nën urdhrat e trajnerit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Zhvillimi i Cenës gjatë këtyre dy vjetëve është shumë i madh. Ai është pjesë e një familjeje xhudistësh, por vlerëson se ka bërë veprimin më të mirë të mundshëm që është vënë nën urdhrat e Kukës, trajnerit me të gjitha medaljet e mundshme në sportin e xhudos, shkruan KOHA.

Shpërblimi për punën që po e bën ka nisur të vijë për Dardanin, djalin e Anton Cenës, një figurë të njohur sportive në vend. Javën e kaluar ai fitoi medalje në Kupën Evropiane për kadetë që u mbajt në Bielsko Biala të Polonisë.

Për Dardanin, vendi i tretë megjithatë nuk është plasman i kënaqshëm.

“Të them të drejtën, meqë ka dy vjet që jam në klubin e trajnerit më të mirë në botë, Driton Kuka, rezultati nuk është i mirë. Por kjo është gara e parë dhe ky rezultat më jep vullnet që në të ardhmen të shkoj në finale”, ka thënë Dardan Cena në një bisedë për KOHËN.

Për të ishte gara e dytë ndërkombëtare prejse i është bashkuar Ipponit. Gara ndërkombëtare ka pasur edhe në të kaluarën, por garë e vërtetë për grupmoshën e kadetëve është kjo e fundit në Poloni. Të paktën të tillë e vlerëson trajneri Kuka.

“Që nga ardhja ime në Pejë para dy vjetësh, kjo është gara e dytë ndërkombëtare. E para ishte në turneun Alpe Adria, në të cilën garë arrita të bëhesha i pari në mesin e 74 garuesve. Ai rezultat më dha besim dhe më dëshmoi për një përparim të madh në çdo aspekt nga koha kur isha te klubi ‘Polici’ në Prishtinë”, ka treguar Cena.