4 muaj më parë

Të jetosh në vendin ku “avullohen” toka dhe paratë

Të jetosh në vendin ku “avullohen” toka dhe paratë

Para më shumë se një dekade, një zyrtar i LDK-së pati marrë drejtimin e qendrës më të madhe spitalore në Kosovë (QKUK). Gjatë shfletimit të dokumenteve kishte vërejtur se diçka nuk ishte në rregull me sipërfaqen e tokës që e kishte me ‘tapi’ kjo qendër. QKUK-së i mungonin gjashtë hektarë tokë. Si për ironi, pjesa më e madhe e hektarëve ishin ‘avulluar’ në vitin e pavarësisë së Kosovës, më 2008.

Drejtori që dikur kishte qenë edhe ministër financash, e alarmoi Komunën e Prishtinës që asokohe e udhëhiqte ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa; e alarmoi Ministrinë e Shëndetësisë që atëbotë drejtohej nga shefi i dikurshëm i Qeverisë në Ekzil, Bujar Bukoshi; i alarmoi organet e rendit, u bë zhurmë rreth kësaj çështje në Parlament dhe u dhanë zotime se do t’i jepej goditje ‘mafisë’. Me kalimin e kohës u ndërruan drejtorë të QKUK-së, ministrat e Shëndetësisë, kryetarët e Komunës së Prishtinës, shefat e Policisë e të Prokurorisë, u tha e çfarë nuk u tha dhe, si përfundim: toka u “avullua”, askush s’u dënua.
Para 10 vjetëve vlera e tokës që “mungonte” u “parallogarit” të ishte rreth 10 milionë euro. Por, vlera reale dhe dëmi i shkaktuar janë shumë më të mëdhenj.

Milionët nuk humbën veç nga toka e përvetësuar. Kishte të tjerë milionë që u avulluan përmes truqeve me çeqe bankare. Sot e kësaj dite nuk është zbardhur e vërteta për çekun prej 16.2 milionë eurove të cilin ishte dashur ta derdhte në arkën e shtetit konsorciumi që kishte fituar tenderin e telefonisë së dytë mobile në vend, “Kosmocell”, e që më pas ishte tërhequr nga gara duke ia lënë tenderin ofertuesit të dytë që ishte për shtatë milionë euro më i lirë.

Hulumtuesit e organizatave që trajtonin temat e korrupsionit, patën zbuluar se konsorciumi fitues kishte lidhje me ofertuesin e dytë dhe se gjithçka ishte e orkestruar nga pronarët. Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART), që tash thirret Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), nuk kishte arritur ta zbulonte as bankën në Itali ku thuhej se ishte deponuar ceku 16 milionësh, ndërsa mekanizmat e hetuesisë vendëse e ndërkombëtare heshtazi i vunë kapak këtij skandali të madh financiar. Shteti mbeti pa ‘veç’ 16 milionë, paratë u ‘avulluan’, askush s’u dënua.

Të pandëshkuar, tash e mbi dy dekada – prej që kanë nisur hetimet – kanë mbetur edhe përgjegjësit e shitjes së “Dardania Bank”-ës – një bankë të themeluar me paratë e bashkatdhetarëve në vitet 1990, nga fondi i tre përqindëshit. Ende ka dyshime se vetëm në kasafortën e kësaj banke që operonte në Tiranë, fill pas luftës janë vjedhur mbi dy milionë marka gjermane. E vërteta se çfarë u bë me paratë e shitjes së kësaj banke është kërkuar në tri shtete: në Gjermani (ku ka vepruar Qeveria e Ekzilit e drejtuar nga Bujar Bukoshi), në Shqipëri dhe në Kosovë. Hetimet për vjedhjen (‘avullimin’) e parave brenda bakës, sot e kësaj dite… vazhdojnë!

Në shtetin e vogël e të varfër, brenda pak vjetëve në liri, humbjet e pasurisë së përbashkët u bënë me ‘finesë’ – zyrtarisht, me letra. Me dhjetëra hektarë tokë, pronë shoqërore, u shitën me nga një euro për ar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Pati edhe prona që u shitën nga shteti pak më shumë se një euro e të cilat pastaj u stërshitën nga privatizuesit qindra herë më shumë. Një hetim për procesin e privatizimit nisi në legjislaturën e fundit, por edhe ky hetim mbeti pa përfunduar si pasojë e shpërndarjes së Kuvendit.

Gjatë gjithë kësaj kohe – për shkak të dështimit të organeve të hetuesisë dhe të drejtësisë vendëse për t’i kryer punët si duhet – Kosova shihet si vend me shkallë të lartë të korrupsionit. Nga përgjegjësia nuk amnistohet as misioni evropian (EULEX) i cili për një kohë të gjatë i ka marrë përsipër rastet e profilit të lartë të korrupsionit, si dhe ato që janë quajtur si raste të rrezikshme. Mekanizmat përgjegjës, vendës e ndërkombëtarë, dështuan t’i zbardhin edhe rastet e vjedhjeve brenda vetë institucioneve që janë ligjërisht të obliguara për ta luftuar krimin e korrupsionin. Një herë në Prishtinë e herën tjetër në Pejë u kryen vjedhjet brenda objekteve të Policisë së Kosovës, te “Dhomat e dëshmive”. Në rastin e parë u vodhën 50 kilogramë drogë, ndërsa në rastin e dytë u vodh një sasi prej 25 kilogramëve me dukatë. Aty janë shkatërruar edhe provat e qindra krimeve të rënda, përfshirë edhe ato vrasjeve. Pati arrestime, lirime të të arrestuarve, debate, akuza, kërkime përgjegjësish, kërkime dorëheqjesh… por asnjëherë zbardhje të plotë të këtyre rasteve.

Rast pas rasti, fundi i dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XXI e gjeti Kosovën me mbi dy milionë euro më pak. Ato u vodhën në vendin që duhet të jetë më i sigurt: në Thesarin e Shtetit. Personat e dyshuar janë identifikuar, disa janë arrestuar, por paratë ende nuk janë kthyer (ndonëse kanë kaluar mbi pesë muaj nga vjedhja). E, derisa ky rast është ende i hapur, plasi skandali në Ministrinë e Bujqësisë: çantat me para kesh (400 mijë euro) të përvetësuara nga subvencionet e dedikuara për fermerët, u kapen nga hetuesit në bashkëpunim me prokurorin e rastit. Bashkë me paratë u zbërthye edhe zinxhiri i atyre që dyshohet se kanë abuzuar me detyrat zyrtare.

Derisa ky rast është i freskët dhe si i tillë është duke u trajtuar ende nga organet e drejtësisë, një rast shumë më i madh është mbyllur: ai për veteranët e rrejshëm të UÇK-së. E gjithë struktura e komandantëve që kanë qenë përgjegjës për përpilimin e listave të ish-ushtarëve të UÇK-së, u liruan nga akuzat për fryrje të listës së veteranëve të luftës me 19,500 ‘luftëtarë’. Gjykata nuk gjeti shkelje, ndonëse ish-krerët e UÇK-së e kanë pranuar botërisht se numri i luftëtarëve ka qenë shumë më i vogël se ai që figuron në lista. Kështu, shteti do të obligohet t’ju jap pensione e beneficione jomeritore mashtruesve e falsifikatorëve.

Për këtë vend ku ‘avullohen’ tokat dhe paratë, të fortët u përkujdesën me kohë që të vënë njerëzit e tyre në Polici, në Prokurori, në gjykata, në pozita menaxheriale e kudo nëpër sektorët ku ka çka të ‘avullohet’. E, qe besa u kujdesën të krijojnë edhe hapësira mediatike për t’u promovuar sa herë duan, e për t’u mbrojtur sa herë që kenë nevojë. Të tillët rrënuan çdo sistem: arsimor, kulturor, ekonomik, juridik e politik. Të tillët rrënuan shpresat e shumë të rinjve e të rejave për perspektivë në Kosovë. Andaj, sot, më shumë se për gjithçka tjetër, ky vend ka nevojë për drejtësi – për një proces këndelljeje që duhet të nis me vetingun në gjyqësi.

AKTIV PRESS