Të jesh askund e të flasësh me askënd për asgjë!

7 muaj më parë

Të jesh askund e të flasësh me askënd për asgjë!

Nga Agron Shala

Në vitin 1966, Michelangelo Antonioni (1912-2007) vendosë ta bëjë një film në SHBA. Përgatitjet për skenar dhe koncept zgjasin dy vite. Xhirimet nisin më 1968, ndërsa premiera jepet më 1970…

Fjala është për filmin “Zabriskie Point”, që ishte një dështim total komercial. Hiç më mirë filmi nuk qëndronte as me kritikën e kohës. Roger Ebert, që vlerësohet edhe sot si më i madhi i kritikës së filmit, e ka quajtur këtë realizim të tij si film krejt të budallëm. Ndaj, duket e çuditshme se si një nga regjisorët më avangardë e më kreativë, që i kishte dhënë qasje ndryshe e për të mirë kinematografisë, ta bëjë një gabim kaq të madh… dhe atë pas një angazhimi katërvjeçar!

Antonioni vërtetë është i veçantë. Është një nga tre regjisorët e vetëm që ka fituar Palmën e Artë, Luanin e Artë, Ariun e Artë dhe i vetmi nga këta të tre që ka fituar edhe Leopardin e Artë. Për kontributin e tij në kinematografi, më 1995 nderohet bile edhe me çmimin Oscar.

Por, ku qëndron gabimi i tij te “Zabriskie Point”?

Askund! Çdo njeri mund të gabojë. Ka shumë artistë me nam që pas vetes kanë lënë edhe vepra të këqija. P.sh. Stanley Kubrick nuk ka dashur kurrë të flasë për filmat që i ka bërë para vitit 1956. Por, te Antonioni problemi mund të shihet te perceptimi i tij për artin, si një gjë që duhet çuar para. Ai shprehej se jemi ngatërruar me një kulturë që nuk ka përparuar sa shkenca! E, në këtë aspekt, Amerika megjithatë nuk e toleron lehtë avangardën evropiane, sidomos në kinematografinë e saj që është një si opium “piroteknik” i masave… globale!

Në kërkim të këtij “dështimi”, kritiku James Brown e shpjegon më së miri natyrën e Antonionit. Ai thotë se filmat e tij janë komplekse estetike që shtrojnë pyetje të vështira dhe u rezistojnë konkluzioneve të thjeshta. Ndaj, spektatori është i detyruar të përgjigjet në varësi të imagjinatës së tij e jo të asaj që ofron filmi në shikim të parë. Në anën tjetër, Antonioni ka thënë se kur e nis një film nuk mendon shumë, por veç punon. Në punën e tij pranonte se pasqyrohet nevoja për lirinë. Mirëpo, aty shihet edhe braktisja, pasi karakteret e tij janë të paafta për të zgjidhur misteret personale; ata zhduken, dorëzohen ose vdesin… “Filmat e tij janë aq enigmatik sa edhe jeta”, ka thënë Brown.

Për ta përshkruar botën e tij, në një letër të vitit 1979, filozofi i madh Roland Barthes ndër të tjera ia thotë këto fjalë Antonionit – si një mesazh global për artin kinematografik: “Arti juaj përbëhet gjithmonë në lënien hapur të rrugës së kuptimit… ju përmbushni saktë detyrën e artistit, siç e kërkon koha jonë: as dogmatik, as bosh e as me kuptim”!

Kështu, sot, 48 vjet pas premierës, “Zabriskie Point” nuk është vepër e harruar. Konsiderohet si një film kult që për herë të parë vlerëson lëvizjet e kohës; që shihte përtej shablloneve të etabluara sociale. Teksa në filmin e suksesshëm “Blowup” të vitit 1966, ngjarjen ai e vendos në kundërkulturën angleze (Swingin London), njëjtë vepron me kundërkulturën amerikane (Lëvizjen Hippy) te “Zabriskie Point”. Aktori i shndërruar në politikan, Ronald Reagan, hipikët i quante “Burra që vishen si Tarzani, me flokët si Jane, dhe me kutërbim si Cheetah”, por Antonioni shihte një shkëndijë tek të rinjtë që kundërshtonin sistemin politik dhe kulturor të Perëndimit, që kërkonin paqe dhe liritë që e barazojnë individin me institucionin; tek ata që projektuan të sotmen dhe të ardhmen.

Ky film çmohet sot për regji, fotografi, e mbi të gjitha për përdorim unik të muzikës. Nëse më herët muzikën për filmat e Antonionit e bënin të famshmit e Italisë, si Giovanni Fusco, Giorgio Gaslini apo Eraldo Da Roma, te “Zabriskie Point” muzika realizohet nga kult rokerët e asaj kohe – Pink Floyd, Grateful Dead, The Youngbloods dhe Kaleidoscope (kult pra, ata që nuk kishin famë e as nuk mbushnin sallat e mëdha). Ai thyen stereotipat se kompozitor (krijues) është ai me fakultet (e cili fakultet krijon shkrimtarin?), ndaj ndonëse në moshë në raport me rokerët nën të 30-tat e asaj kohe (58-vjeçar kur jepet premiera e filmit), Antonioni sot mund të perceptohet si vizionar, si i ndjeri më i ri…

Për këtë film “të dështuar”, Antonioni ka thënë: “Puna ime është si gërmimi; është kërkimi arkeologjik mes materialeve pa interes të kohës sonë”! Dhe, ky material vazhdon të studiohet. Ndërkaq, për qendrën e industrisë amerikane të filmit, që nuk e perceptonte vlerën dhe artin e mirëfilltë, ai tha: “Hollivudi është sikur të jesh askund e të flasësh me askënd për asgjë”!

Por, është edhe një rrëfim tjetër që zbërthen botën e tij kreative, e që mund të ndërlidhet me kaosin e vlerave ndër shqiptarë. Teksa montohej filmi “Zabriskie Point”, producentët (të etshëm për shifra statistikore, e për shikueshmëri) thonë se nuk po kuptojnë asgjë. Antonioni ua kthen me ironi: “Ajo që kuptohet del shpejtë nga mendja”!

E, çka kuptojmë e nuk kuptojmë ne shqiptarët, të sunduar nga shqiptarët… në Ballkan?!