3 muaj më parë

Të gjitha rrugët e Kosovës dhe të Ballkanit drejtë Brukselit, kalojnë nëpër Berlin!

Të gjitha rrugët e Kosovës dhe të Ballkanit drejtë Brukselit, kalojnë nëpër Berlin!

Temat e përditshmërisë politike, përveç sterilitetit të tyre ka kohë që po ngjallin aversion me retorika e tyre boshe e shpesh edhe shumë të dëmshme për zhvillimin e Republikës së Kosovës, gjithnjë duke zmbrapsur besimin e qytetarëve te bartësit e institucioneve.

Ndonjëherë është e dhimbshme kur vërehet gjithë kjo shpresë për një ndryshim, gjithnjë duke harruar se ndryshimi nuk mund të vij nga ata të cilët edhe e krijuan këtë gjendje! Ata të cilët e bën Kosovën shtet ku qytetarët e saj shohin çdo mundësi për të ikur nga vendi i tyre. Nga vendi i krizës e krimit ekonomik, korrupsionit, nepotizmit e degradimit të dinjitetit qytetarë. Ata të cilët janë përgjegjës për një gjendje të tillë, sigurisht se nuk dinë apo edhe nuk duan të zhvillojnë demokracinë e mirëfilltë, por të kundërtën e saj.

Ndonëse me kohë, vendi ynë dhe qytetarët e tij janë përcaktuar për Unionin Evropian, prijësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, e ngadalësuan rrugën e integrimeve, drejtë këtij synimi! Ky përcaktim, ka qenë dhe është përcaktimi më i arsyeshëm. Kjo është rruga në të cilën Kosova do të duhej të ec me hapa tjerë; më të mençur e më dinjitoz.

Tendencat aktuale dhe veprimet e pamatura në sferën politike i ngjajnë një zhagitje herë- herë të qëllimshme. Kjo rrugë drejtë UE, në radhë të parë duhet pastruar nga krimi ekonomik, korrupsioni, nepotizmi duke përfshirë këtu edhe gjyqësorin dhe aplikimin e pavarur të ligjeve ekzistuese. Janë shumë veprime praktike të cilat ende nuk po ndërmerren në mënyrë që të jemi të barasvlershëm e në nivelin e shteteve tjera të UN, e në radhë të parë Gjermanisë.

Në Gjermani, tani jetojnë rreth 400 000 kosovarë. Këtij numri çdo ditë i shtohen ardhjet e reja. Të rinj me përgatitje profesionale nga lëmit e ndryshme, duan punë, duan jetesë të dinjitetshme. Janë rinia jonë e bukur që përkundër shkollimit nuk arrijnë të gjejnë punë në Atdheun e tyre. Ata të cilët detyrohen të mësyjnë dyert e shteteve evropian e më tutje për të siguruar jetesën.

Ardhja në shtetet e perëndimit gjen rrugë të ndryshme dhe gjithnjë me peripeci, të shumta. Këtu pastaj të rinjtë tanë pranojnë çdo punë vetëm të mbijetojnë. Më shumë se e dhimbshme, secila ikje. Është kjo një histori që nuk e ka ndërmend të ndalet edhe 20 vite pas luftës në Kosovë. Është ky një problem madhor i shtetit tonë i cili nuk arrin të krijojë kushte pune për gjeneratat e reja, nuk arrin të jap asnjë vizion mbi një prosperitet të mundshëm. Këtu nuk ka stacion autobusi, treni apo edhe në aeroporte që nuk takon shqiptarë të punësuar apo edhe duke qarkulluar drejtë vendit të tyre e anasjelltas.

Sot në aeroportin e Stuttgartit takova Besimin. Nga bashkëbisedimi ynë po e ndaj me ju këtë thënie të tij: ,,Do të punoja me shumë dëshirë në vendin tim, me një pagë mesatare, por nuk arrita! Konkurrova sa e sa herë për punë por nuk arrita të punësohem. Sepse në radhë të parë janë kandidatët nga radhët e klaneve të pushtetit, e interesave partiake- gjithçka është e korruptuar! ’’

E gjithë kjo gjendje, rezulton me kërkesën urgjente për ndryshim, ndërsa ndryshimin sigurisht se nuk mund ta bëjnë gjeneruesit e kësaj gjendje aktuale në Kosovë. Njerëz të cilët me mjeshtërinë e eliminimit larguan të gjithë bartësit kryesorë të lëvizjes më të fuqishme e më dinjitoze të shekullit të kaluar të viteve 1980- 1999. Figura të cilët tani për së vdekuri i përulen Presidentit Rugova, ndërsa bashkëpunëtorët e tij apo thënë më mirë shtyllat kryesore të asaj lëvizje i eliminuan.

Akoma vazhdoj të besoj fuqishëm se në një të ardhme të afërme do të fillojnë ndryshimet në dobi të interesit nacional!

Deri te këto ndryshime është një rrugë e përbashkët e të gjithë neve të atyre që besojnë në dinjitetin e tyre si qytetarë dhe të vendit të tyre. Qytetarët me idetë dhe votën e tyre duhet të largojnë nga skena politike akterët aktual, të cilët me sjellje të pamatura politike apo edhe me pamençurinë e tyre kanë vu në rrezik edhe vet shtetësinë e Kosovës.

Besoj se ndryshimi do të ndodhë dhe do të jetë në dobi të mbrojtjes dhe zhvillimit të Republikës Kosovës e qytetarëve të saj.

Brezi i ri sigurisht se nuk do të pajtohet gjatë të bredh rrugëve të Kosovës duke kërkuar shtigje për tu larguar nga vendi, në mënyrë që të siguroj ekzistencën e një jetë më të mirë.

Është koha që Kosova të jetë e mirë e sigurt dhe prosperuese duke ju ofruar të gjithë qytetarëve të saj hapësirën e duhur për të punuar e jetuar me dinjitet!

AktivPress