Të enjten nis zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike ende pa marrëveshja për kohëzgjatjen e saj

5 ditë më parë

Të enjten nis zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike ende pa marrëveshja për kohëzgjatjen e saj

Kanë mbetur edhe dy ditë kohë që subjekte politike të hyjnë zyrtarisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 17 tetor. Sipas vendimit që kishte marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), fushata zgjedhore do të fillojë më 16 shtator dhe do të përfundojë më 15 tetor.

Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, ende nuk dihet nëse subjektet politike do të bëjnë fushatë zgjedhore gjatë kësaj kohe, derisa disa parti janë shprehur të gatshme që fushata zgjedhore të shkurtohet dhe të bëhet vetëm në mënyrë digjitale.

Faton Abdullahu nga Partia Demokratike të Kosovës në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se si parti janë që të shkurtohet afati i fushatës zgjedhore.

“Parimisht ne si parti jo vetëm që jemi për atë që të shkurtohet afati kohor brenda të cilit do të bëhet fushata, gjë që e përkrahim parimisht, por edhe kemi propozuar që të abstenohet plotësisht nga fushata konvencionale, që nënkupton të mos ketë grumbullime të njerëzve me qëllim fushate elektorale të asnjë variante. Për më shumë jemi për atë që kjo fushatë, gjithnjë në përputhje me vendimet dhe rekomandimet e IKSHPK, të bëhet vetëm në mënyrë digjitale, përmes mjeteve të informimit, rrjeteve sociale, thjeshtë duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë e këtyre formave të bërjes së fushatës”, tha ai.

Abdullahu shtoi tutje se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale po mbrohet demokracia dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Krejt kjo konsiderojmë se duhet të bëhet kështu, duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në afatin e paraparë. Jemi të bindur se kështu po e mbrojmë demokracinë dhe Kushtetutën e Kosovës e cila në rast të shtyrjes së zgjedhjeve dëmtohet. Por mbi të gjitha me këtë qasje dhe me këto masa të propozuara, ne si opozitë jemi të bindur se mbrohet më së miri shëndeti i qytetarit të Kosovës i cili tashmë po rrezikohet pandalshëm, ndikuar drejtpërsëdrejti nga menaxhimi i keq i gjendjes pandemike nga qeveria aktuale. Mendojmë se nëse punohet shumë dhe drejtë dhe nëse ka konstruktivitet në bashkëpunim dhe ndjeshmëri morale e sociale, ky dyzim është i mundshëm dhe bashkë do t’ia dalim”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Telegrafin se fushata zgjedhore në bazë të ligjit parashihet të jetë 30 ditë, por që nuk është e përcaktuar mënyra se si mund të bëjnë subjektet politike fushatë zgjedhore.

“Duke qenë se fushata zgjedhore në bazë të ligjit parashihet të jetë 30 ditë, kjo nënkupton që nuk ka ndonjë mundësi ligjore që pa e ndryshuar legjislaturën zgjedhore që të shkurtohet e njëjta në 10 a po 5 ditë, apo të anulohet farë siç është përmend deri tani.

Ligji ndonëse e përcakton afatin, nuk e precizon se çfarë lloji të aktiviteteve janë të obliguar që të bëjnë subjektet politike. Pra, ligji e njeh mundësinë që të ketë çfarë do aktivitetesh ku thjesht kërkohet vota e qytetarëve. Subjektet politike duke ditur edhe numrin e madh të kandidatëve që do të jenë në garë, pra përveç kandidatëve për kryetar të komunave, ne do të kemi mbi 5 mijë kandidatë tjerë të cilët do të garojnë për asamble komunale, të cilët ashtu kështu kanë qenë në disavantazh sa i përket fushatës, dhe me shkurtimin e fushatës zgjedhore çështja mund të përkeqësohet në dëm të tyre.

Prandaj, zgjidhja ideale do të ishte që thjesht të ketë respektim të masave që janë në fuqi dhe që subjektet politike të ndryshojnë formatin e të bërit fushatë, duke kaluar nga organizimi i tubimeve publike e shumë qytetarë, në kalimin e të bërit fushatë në mënyrë elektronike, ballafaqimi ne debate televizive, duke përfshirë këtu rrjetet sociale, apo çfarë do forme tjetër, të bashkëbisedimit me qytetarë”, deklaroi ai.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani të hënën takoi krerët e partive politike për t’u konsultuar rreth shtyrjes së zgjedhjeve pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për shtyrje të procesit zgjedhor.

Shumica e partive politike parlamentare ishin kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale, si PDK, LDK, AAK, ndërsa nga Vetëvendosje janë deklaruar pro shtyrjes së zgjedhjeve.

Edhe nga partitë nga radhët e komuniteteve ishin të ndara rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale.

Ndërkaq, Kryesia e LDK-së, ka njoftuar se ka vendosur që fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. /Telegrafi/