Tashmë Spotify edhe në Kosovë e Shqipëri

3 javë më parë

Tashmë Spotify edhe në Kosovë e Shqipëri

Tashmë mund të dëgjojmë muzikë në Spotify edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Spotify njoftoi se nga data 15 korrik, shërbimi do të jetë i qasshëm në Rusi dhe disa vende të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut krahas Bjellorusisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kazakistanit, Moldavisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Ukrainës (via Music Business Woldwide, Yahoo! News dhe Bunisess Wire).

“Lancimi u krijon mundësinë afro 250 milionë njerëzve që të zbulojnë muzikë të re nga e gjithë bota falë Spotify, si edhe artistëve lokalë që të arrijnë një audiencë globale,” tha Gustav Gyllenhammar, zëvendëspresident i Spotify.

Spotify, i themeluar në Suedi në vitin 2006, është një shërbim transmetimi muzikor dhe shërbimesh të tjera mediatike. Platforma është një shërbim fremiun (free & premium) – që do të thotë se ofrohet falas, por edhe premium, që përfshin të gjitha produktet dhe shërbimet që ofrohen me pagesë. Shërbimi falas ofron muzikë dhe shërbime të tjera të kufizuara si edhe përmban reklama dhe video muzikore automatike. Karakteristika të tjera – si dëgjimet pa reklama – ofrohen përmes pajtimeve me pagesë.

Që prej vitit 2008, Spotify siguron qasje në mbi 50 milionë këngë. Përdoruesit mund të shfletojnë projektet sipas artistit/es, grupeve, albumeve ose zhanërit si edhe të krijojnë, modifikojnë ose shkëmbejnë listat e këngëve. Spotify është shërbimi më i madh i transmetimit muzikor në botë me më shumë përdorues të abonuar – 96 milionë të tillë. Platforma ka rreth 170 milionë përdorues në përgjithësi.