Tahiri: Serbia, shtet i vogël që po tenton të luajë lojëra të mëdha

4 vite më parë

Tahiri: Serbia, shtet i vogël që po tenton të luajë lojëra të mëdha

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në Samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme i parlamenteve të shteteve të Evropës, që po mbahet në Prishtinë më 20 dhe 21 shkurt 2017, me organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë samit, kryenegociatorja e dialogut me Serbinë ka folur rreth ndikim të Rusisë në Ballkan dhe qasjen pro-ruse të Serbisë.

Tahiri ka deklaruar se Serbia është shtet që nuk po e pranon realitetin.

“Këtu në Ballkan kemi më shumë prirje për iluzione se sa për realitete. Ja për shembull, derisa shumica e shteteve të reja që kemi lindur nga zhbërja e ish-Jugosllavisë i njohim realitetet dhe kemi pranuar shtetësinë e njëra- tjetrës, Serbia vazhdon me iluzione duke mos pranuar ende këto realitete. Serbia është një shtet i vogël dhe po tenton të luaj lojëra të mëdha gjeopolitike, të vendeve nostalgjike për humbjet që i kanë pësuar pas përfundimit të luftës së ftohtë, siç është Rusia”, ka thënë Tahiri.

“Kjo qasje do ta dëmtoj vet Serbinë sepse ka mbetur mes Moskës dhe Brukselit, ndërsa orientimi evropian dhe sjellja evropiane e Serbisë ndaj vendeve të rajonit do të ishte me interes për vet Serbinë dhe rajonin, për paqen dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh ministrja për Dialog.

Ministrja për Dialog ka shprehur rëndësinë që Mali i Zi të anëtarësohet në NATO.

“Ambicia gjeopolitike ruse po tenton të ndikojë negativisht në rajon. Kur përmenda Rusinë dua të them se nuk janë shembuj nga teoria e konspiracionit, por janë shembuj konkret të ndërhyrjeve të Rusisë në Malin e Zi, e për Serbinë mos të flasim, por ka pasur edhe elemente ndikimesh edhe në Kosovë. Anëtarësimi sa më i shpejtë i Malit të Zi në NATO do të mbyllë çdo qasje të Rusisë në rajon”, ka thënë Tahiri, shkruan Insajderi