Tahiri kritikon Kurtin dhe Vitinë: S’menaxhohet shteti me lëmoshë, çka po ndodh me blerjen e vaksinave o burra?

1 muaj më parë

Tahiri kritikon Kurtin dhe Vitinë: S’menaxhohet shteti me lëmoshë, çka po ndodh me blerjen e vaksinave o burra?

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë që nga kjo parti kërkojnë që në Kuvendin e Kosovës të mbahet një seancë e jashtëzakonshme lidhur me vaksinimin në masë për COVID-19.

“Grupi parlamentar i AAK-së kërkon organizimin e një seance të jashtëzakonshme ku do diskutojmë vetëm një temë, vaksinimin në masë dhe parandalimin e keqmenaxhimit të pandemisë. Për ne, seanca e të hënës nuk duhet ta diskutojë programin e qeverisë. Situata e krijuar na imponon debatin për vaksinimin në masë dhe jo për një pamflet partiak, politik një të ashtuquajtur program qeverisës që nuk ka asnjë veprim e datë të sanksionuar për këtë temë”, ka thënë ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Tutje Tahiri ka shtruar një pyetje drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.

“Pyetja jonë për kryeministrin Kurti, ministrin Vitia është çka po ndodhë o burra me blerjen e vaksinave? Buxhetin e keni në qeveri për blerjen e vaksinave nuk keni opozitë, jemi bashkë. Po kërkojmë veprim. Duke qenë kështu kërkojmë nga kryeministri Kurti dhe ministri Vitia të veproni”.

“Nuk menaxhohet shteti me lëmoshë, vaksinohet me veprime konkrete. Merrni vendime, parandaloni humbjen e jetëve. Kemi mbetur vendi i fundit me numrin më të vogël të vaksinuarve”, ka shtuar ai.