Syla: OBSH nuk rekomandon teste serologjike për diagnostikim, ato janë vetëm për studime

2 muaj më parë

Syla: OBSH nuk rekomandon teste serologjike për diagnostikim, ato janë vetëm për studime

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Bullgari, Skender Syla, ka thënë se OBSH-ja nuk rekomandon testet serologjike për diagnostikim. Sipas Sylës, testet serologjike rekomandohen vetëm për studime epidemiologjike ose për të studiuar reagimin imunitar.

“Në situatën aktuale të gjendjes epidemiologjike duhet shtuar në mënyrë të ndjeshme testet RT PCR, që tregojnë infeksionin akut/aktual. OBSH-ja nuk rekomandon teste serologjike për ndonjë qëllim tjetër përveç studimeve epidemiologjike ose për të studiuar reagimin imunitar. Këto studime nëse realizohen, duhet bërë me metodologji rigoroze shkencore të mostrimit dhe hapave të tjerë gjatë hulumtimit për të evituar gabimet e mundshme”, ka shkruar Syla në një postim në “facebook”.

Sipas tij çdo ekspozim i personave në institucione shëndetësore mund të jetë edhe rrezik për të marrë infeksionin. Ai thotë se procedurat e parandalimit të infeksionit në institucione shëndetësore duhet të jenë rigoroze.

“Çfarë nëse del pozitiv apo negativ me test serologjik? E para nuk garanton se sa do të kesh imunitet dhe duhet të vazhdosh tutje me kujdesin. Po që se je negativ, prapë nuk ka ndonjë rëndësi diagnostikuese. Është sfiduese për të interpretuar gjetjet për shkak të kufizimeve të cilësisë së testeve si dhe të kuptuarit aktual të kohëzgjatjes dhe llojit të mbrojtjes imune në pacientët COVID-19”, ka shkruar Syla.