Sulmet ajrore të Turqisë – raportohen viktimat e para në Siri

1 javë më parë

Sulmet ajrore të Turqisë – raportohen viktimat e para në Siri

Turqia ka transportuar mjetet luftarake në vijën kufitare me Sirinë, e mediat botërore kanë publikuar pamjet e ushtrisë turke.

Në një video shihen tanket M60 dhe mjetet tjera transportuese të blinduara M113. Gjithashtu është vërejtur konvoji ushtarak në hyrje të qytetit Akchakale, që është vetëm qindra metra larg kufirit me Sirinë, transmeton Telegrafi.

Sulmet ajrore të Turqisë, që shënjestruan disa zona të veriut të Sirisë, shkaktuan viktima mes civilëve, njoftoi një koalicion luftëtarësh kurdë e arabë.

“Ka patur bombardime intensive të avionëve turq mbi pozicionet ushtarake dhe fshatrat e civilëve. Sipas raportimeve të para, ka patur viktima mes civilëve”, njoftoi në Twitter koalicioni Forcat Demokratike Siriane (SDF).

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se ka filluar një operacion ushtarak i planifikuar për një kohë të gjatë në verilindje të Sirisë, me forcat kurde që aktualisht e kanë nën kontroll këtë zonë, ndërsa raportohet për sulme ajrore dhe “panik të madh”.

Kjo masë u nxit nga njoftimi i Donald Trump, që gjatë fundjavës tha se forcat e Shteteve të Bashkuara do të largohen nga zona, ku mijëra luftëtarë të ISIS-t dhe familjarët e tyre, po mbahen të kapur nga forcat kurde, derisa ka kërcënim të hapjes së një fronti të ri të përgjakshëm në luftën siriane, transmeton Telegrafi.