Suksesi në kupë nuk e arsyeton dështimin e Prishtinës në kampionat

2 muaj më parë

Suksesi në kupë nuk e arsyeton dështimin e Prishtinës në kampionat

Prishtina të mërkurën mbrëma fitoi kupën e Kosovës në futboll për herë të shtatë në histori të klubit. Por për vitin e shtatë rresht, skuadra me më së shumti trofe nuk e ka fituar trofeun më të çmuar në vend – titullin e kampionit. Vitin e kaluar doli nënkampione, kurse këtë edicion përfundoi në pozitën e katërt.

Titullin e fundit, Prishtina e fitoi në edicionin 2012/2013 nën drejtimin e trajnerit Afrim Tovërlani. Atëbotë “bardhekaltrit” e fituan edhe kupën e Kosovës. Trofeun e kupës pas vitit 2013, Prishtina e ka fituar edhe dy herë të tjera (2015/16 dhe 2017/18).

Te Prishtina pranojnë se është periudhë e gjatë pa titullin e kampionit dhe se suksesi në kupë të mërkurën mbrëma nuk arsyeton dështimin në kampionat. E këtë e pranon edhe kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, që insiston se “vetëm dhjetë për qind e suksesit është plotësuar”.

“Vetëm dhjetë për qind e synimeve tona janë plotësuar. Natyrisht që janë shumë shtatë vjet, por ne sërish do të luftojmë për titull në edicionin e ri. Në fakt, Prishtina gjithmonë lufton për vendin e parë dhe do të mundohemi të njëjtën luftë ta bëjmë edhe edicionin tjetër për të qenë edhe model për të mirë për klubet e tjera”, ka thënë Ejupi të enjten për KOHËN.

Ngjashëm si kryetari Ejupi, mendon edhe kapiteni i Prishtinës, Armend Thaqi. Mbrojtësi i krahut ka thënë se Kupa është trofe i rëndësishëm, por që titulli ka qenë synimi kryesor i tyre në edicionin 2019/20, që përfundoi javën e shkuar. .

“Kupa është një trofe shumë i rëndësishëm, mirëpo normalisht që nuk e mbulon faktin se nuk arritëm ta marrim titullin, sepse titulli ka qenë objektivi kryesor. Mirëpo, edhe kupa është shumë e rëndësishme, sepse është trofe dhe çdo trofe për klubin dhe ne futbollistëve, do të thotë sukses. Është kohë e gjatë pa e fituar titullin për një klub siç është Prishtina, mirëpo nuk e kishim kësmet ta fitonim dhe duhet të mendojmë për garat evropiane, e më pas të fokusohemi për vitin tjetër te titulli”, tha Thaqi.

Edhe njohësi i futbollit, trajneri Faruk Statovci ka thënë se në asnjë mënyrë triumfi në Kupë nuk e mbulon dështimin në kampionat për ta fituar titullin.

“Unë mendoj se për një klub si Prishtina është shumë pa e fituar titullin dhe assesi nuk e mbulon dështimin në kampionat kupa e fituar. Ata thonë se e kanë shpëtuar kampionatin me kupë, por kjo nuk i falet assesi Prishtinës. Dhe, nëse nuk ka një riorganizim të shpejtë do të shkojnë edhe shumë vite pa e fituar titullin. Me gjithë respektin për trajnerin Armend Dallku, që ka ndryshuar shumë në lojë, por mendoj se me këtë kapacitet siç është tani, do të ketë problem, sepse skuadrat e tjera janë duke bërë përforcime të qëlluara. Por, të mos harrojmë se Prishtina është penalizuar me mungesën e një fushe për stërvitje me vite të tëra dhe ndoshta kjo ka qenë pengesë e madhe, sepse me të vërtetë ka pasur shumë probleme”, ka deklaruar Statovci.

Droja se mund t’iu shkojë gjatë pa fituar titull

Mirëpo, te Prishtina dështimin për të mos e fituar titullin e kanë arsyetuar me dëmtimin që, sipas tyre, u është bërë në edicionin që u mbyll në fundjavën e shkuar. Drita e fitoi titullin, kurse nënkampion doli Gjilani. Në vendin e tretë përfundoi Ballkani, skuadër të cilën Prishtina e mposhti të mërkurën pasdite në finale të kupës me rezultatin minimal 1:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Sigurisht se titulli ka qenë synimi kryesor, mirëpo është e dhimbshme se në çfarë rrethanash u larguam nga gara. U paralajmëruam tri xhiro pa përfunduar edicioni që do ta kemi të vështirë. I kanë parapri dhe nuk kanë dashur ta lënë në duar të fatit që titulli të vendoset në xhiron e fundit, ashtu siç ndodhi në dy edicionet e kaluara, sepse e kanë ditur se këtë edicion Prishtina është më e fortë dhe do ta kishin më problem”, është shprehur trajneri i Prishtinës, Armend Dallku.