Suksesi i jashtëzakonshëm i mjeshtrit të shahut u arrit falë mashtrimit

1 muaj më parë

Suksesi i jashtëzakonshëm i mjeshtrit të shahut u arrit falë mashtrimit

Në gjashtë vjetët e fundit, Igors Rausis dukej i pamposhtur.

Mjeshtri i madh i shahut, Rausis shënonte fitore pas fitoreje, ndërsa rejtingu e tij në shah rritej vazhdimisht, derisa arriti në afro 200 pikë. Ai u bë më i vjetri që arriti të futej në “top 100” të renditjes botërore, duke arritur në pozitën e 53-të këtë muaj.

Lawrence Trent, një mjeshtër ndërkombëtar anglez, e quajti këtë arritje joreale, ndërsa mjeshtri i madh rus Andrey Deviatkin e quajti impresive, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas “Chess.com”, rritja meteorike e Rausis ishte kryesisht falë rezultateve perfekte, apo gati perfekte, në përballje ndaj kundërshtarëve më poshtë të renditur. Por tash Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE) ka njoftuar se ka një shpjegim tjetër prapa kësaj ngritjeje: mashtrimi.

Emil Sutovsky, drejtor i përgjithshëm i FIDE-s, ka postuar në Facebook lajmin se Rausis është kapur duke mashtruar gjatë një turneu në Strasbourg të Francës së fundi. Kështu është konfirmuar dyshimi i gjatë në lidhje me shahistin letonezo-çek. Rausis ishte ish-kampion i Letonisë, ndërsa ka përfaqësuar gjatë viteve edhe Bangladeshin e Çekinë.