Studentët thonë se s’do të tolerojnë që UP-ja të bëhet si Telekomi i Kosovës

8 muaj më parë

Studentët thonë se s’do të tolerojnë që UP-ja të bëhet si Telekomi i Kosovës

Organizata studentore “Reforma në Proces”, përmes një aksioni simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka shprehur pakënaqësitë e studentëve në lidhje me ndërhyrjet e shumta politike që po bëhen në këtë institucion.

Ata kanë thënë se nuk mund të tolerojnë që Universiteti i Prishtinës të bëhet si Telekomi i Kosovës. Nënkryetari i kësaj organizate, Arlind Basha, ka thënë se kërkojnë nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që t’i shkarkojë anëtarët e Bordit, të cilët i vlerësuan si të deleguar politikë.

“Hasan Prishtina” është institucioni më i madh publik i arsimit të lartë i cili duhet të funksionojë në frymën e profesionalizmit dhe intelektit akademik pa ndikime të jashtme, dhe për më tepër duhet të shërbejë për interesa të përgjithshme të studentëve. Ne si përfaqësues të studentëve nuk mund të lejojmë që edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” të shndërrohet në një instituicion ku të gjithë të punësuarit janë të partive të caktuara politike ashtu siç po ndodh aktualisht me Postën dhe Telekomin e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Situata është rënduar në kohën kur së shpejti do të mbahen zgjedhjet për anëtarët e ri të Këshillit Drejtues të UP-së të cilët votohen në Senatin e Universitetit “Hasan Prishtina”, dhe përmes tyre ta bëjnë edhe zgjedhjen e një Rektori POLITIK sic janë mësuar gjithmonë ta shtrijnë ndikimin e tyre kudo. Këto zgjedhje kanë qenë të parapara të mbahen para dy muajve, por ndikimet politike kanë bërë që të shtyhet ky proces. Për më tepër, partitë politike kanë arritur t’i politizojnë disa nga deputetët e Parlamentit studentor duke i obliguar këta deputetë që të bëjnë edhe shkelje e falsifikime në kundërshtim me statutin e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe t’i thyejnë parimet e përfaqësimit studentor”, thuhet tutje.