Studentët bëjnë biznes me konvikte e Mensë

1 muaj më parë

Studentët bëjnë biznes me konvikte e Mensë

Biznes me kartela të konvikteve e të Mensës janë duke bërë disa studentë të pranuar këtë vit në Qendrën e Studentëve (QS). Një pjesë e tyre po i shesin këto kartela në rrjete sociale. Gazeta ka identifikuar dhjetëra raste të tilla në një grup të krijuar në Facebook.

Grupi “Testi i maturës 2019”, gjatë verës është përdorur si adresë për shpërndarjen masive të testit të maturës, ndërkaq nga fundi i shtatorit po përdoret për shitjen e kartelave të konvikteve e të Mensës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Shes kartelën e Mensës, të interesuarit më shënoni”, ka shkruar në këtë grup studentja A.V, duke sugjeruar të interesuarit që t’i shkruajnë për më shumë detaje.

“Shes konviktin pa mensë, konvikti numër 1”, ka shkruar M.B., i cili po ashtu ka sugjeruar që për më shumë detaje të kontaktohet në bisedë private.

Kurse A.R në grupin “Testi i maturës 2019” ka shkruar: “Përshëndetje, shes dy kartela të Mensës për shkak të mospërdorimit”. Këto janë vetëm disa nga njoftimet e studentëve që kanë shkruar në këtë grup në Facebook.