Stop, kompensimit të përjetshëm të funksionarëve publikë

3 vite më parë

Stop, kompensimit të përjetshëm të funksionarëve publikë

Enver Hasani ka kohë që nuk është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, por ende vazhdon t’i gëzoj benificionet që ia siguron shteti. Pos pagës, ai ka zyrë, asistent, shofer e veturë.

Hasani, megjithatë nuk është i vetmi që gëzon të tilla privilegje nga shteti.

Për të dhe për kategorinë tjetër të funksionarëve publik, mund të mos jetë me interes të miratohet Ligji për pagat.

Kjo për faktin se me projektligjin që e ka bërë gati Qeveria, parashihet t’i jepet fund  kompensimit të përjetshëm të tyre.

Në bazë të projektligjit, një kopje të të cilit e disponon Aktivpress, parashihet që kompensimi të mos zgjasë më shumë se një vit pas përfundimit të mandatit të funksionarit publik, për sa kohë që niveli i pagës të jetë 70%  e pagës bazë të fundit.

Funksionarët publik të cilët përfitojnë nga kjo e drejtë janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori i Shtetit, Kryetari i Gjykatës Supreme, Zëvendëskryeministri, Ministri, Drejtori I Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Zëvendësministri, Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetari i Komunës. Presidenti nuk hynë në këtë mes, pasi forma e kompensimit të tij është e rregulluar me ligj të veçantë.

Me Projektligjin për paga është e përcaktuar që e drejta në kompensim të pagës të zbatohet vetëm nëse funksionari publik ka ushtruar së paku gjysmën e mandatit të tyre të rregullt.  Nëse funksionari publik brenda një viti punësohet ose merr ndonjë të ardhur tjetër, nga Buxheti ose nga ndonjë burim tjetër, nuk ka të drejtë të përfitoj kompensimin.

Ky kufizim që u është bërë funksionarëve publik mund të rrezikoj miratimin e projektligjit nga ana e deputetëve, për shkak të ndikimit  që mund ta ushtrojnë mbi ta, shefat e shtyllave kryesore të shtetit./Aktivpress