Sponsorizimi sjellë më shumë medalje për sportistët dhe më shumë çmime për artistët

2 javë më parë

Sponsorizimi sjellë më shumë medalje për sportistët dhe më shumë çmime për artistët

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mori pjesë në debatin me temën “Çfarë përfitimesh sjell zbatimi i Ligjit për Sponsorizime në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë” organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Sport.

Në këtë debat ministri Gashi tha se kjo është një nismë e qëlluar sepse me anë të kësaj informohen kompanitë dhe të gjithë ata që janë të interesuar për të filluar një fazë të re të mbështetjes për sportin sepse ky ligj parasheh sponzorizim jo vetëm për sport por edhe për kulturë dhe rini.

Duke folur për rëndësinë ligjit në zhvillimin e sportit ministri Gashi tha:

“Ne kemi nxjerr të gjitha aktet nënligjore të cilat kanë qenë të obliguara sipas ligjit, siç ka qenë Rregullorja për Kriteret dhe Vërtetimin e Sponsorizimeve dhe po ashtu kemi themeluar një komision i cili vërteton sponzorizmimet, një mekanizëm që është krijuar në kuadër të kësaj rregulloreje dhe që ka një kontroll të jashtëzakonshëm në procedurat e sponsorizimit”.

Ai po ashtu theksoi: “Themelimi i komisionit i heq të gjitha dilemat për mundësinë e keqpërdorimeve apo shpëlarjes së parasë”.

Gjithashtu ai njoftoi se deri tani janë dërguar 38 vërtetime për sponzorizim dhe tha: “Tani jemi në një hap ku të gjithë do të jemi të koordinuar për të filluar zbatimin e këtij ligji dhe të gjitha veprimet që i kemi marrë deri tash nuk do kenë efekt nëse ky ligj nuk zbatohet”.

Ministri Ministrisë i është dedikuar sportit dhe duke pasur parasysh edhe rezultatet e mëdha të sportistëve, sporti mbetet edhe më tutje prioritet.

“Nuk është rastësi që vitin e kaluar kemi pasur rreth 100 medalje. Por me këtë amandamentim, me zbatimin e Ligjit për Sponzorizime, në Kosovë do kemi më shumë medalje dhe çmime edhe në rrafshin e kulturës por sporti mbetet sektori kryesor i promovimit të vendit dhe dhënies së një imazhi ndryshe në arenën ndërkombëtare”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha:

“Kompanitë tona e kanë mundësinë ideale që të përkrahin një kauzë që është kontribut i zhvillimit të këtij vendi. Këto kompani sjellin shumë taksa, këto do jenë edhe kompanitë më meritore për ta sjellë përpara fuqizimin e sportit”./AktivPress/