Sociali, i pamjaftueshëm për mbi 25 mijë familje në Kosovë

1 muaj më parë

Sociali, i pamjaftueshëm për mbi 25 mijë familje në Kosovë

Edhe vitin që lamë pas më shumë se 25 mijë familje kanë përfituar nga skemat e ndihmës sociale. Vetëm në tre muajt e parë të 2019-s 24 mijë e 955 familje, me 102 mijë e 35 anëtarë, përfituan ndihmë sociale nga shteti. Ky numër u ul për pak familje në fund të nëntëmujorit të vitit paraprak. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shtator ky numër u ul në 24 mijë e 526 familje, me 99 mijë e 718 anëtarë.

Ky numër po shihet shqetësues nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Sipas tyre, pensioni i përcaktuar nga numri i anëtarëve që ka një familje e që sillet nga 60 deri në 180 euro është i pamjaftueshëm për ta.

Përcaktimi i ndihmës sociale bëhet për një familje sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, e cila rregullohet me akt nënligjor, të cilin e nxjerr Ministria. Kjo i bie që personi i vetëm, familja njëanëtarëshe merr 60€ në muaj (minimalja) dhe familja me 15 anëtarë (maksimalja) për një muaj merr 180€ në muaj.

Përveç ndihmës bazë familja e përzgjedhur për skemën e ndihmës sociale për çdo fëmijë të moshës deri në 18-vjeçare realizon një përfitim financiar shtesë prej 5.00 eurosh, me qëllim të nxitjes së arsimimit dhe të përmirësimit të shëndetit të tyre./Zëri