Simmons dëshmon më 18 janar në Kuvend për keqpërdorimet në EULEX

2 muaj më parë

Simmons dëshmon më 18 janar në Kuvend për keqpërdorimet në EULEX

Anëtarët e Komisionit Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kundër Korrupsionit janë dakorduar që më 18 janar të vitit 2021 të dëshmojë Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.

Kryesuesi i Komisionit, Shkëmb Manaj ka sqaruar se në bazë të shkresës Simmons do të jetë prezent fizikisht apo përmes platformës online.

“Në bazë të shkresës Simmons ka premtuar se do të jetë prezent ose fizikisht ose përmes platformës online në ndërlidhje me çështjet që kanë ngritur me shkresën e tij. Datat e mundshme që janë propozuar janë 15, 16, 17 dhjetor 2020, ose disa prej datave në janar të 2021”.

Deputeti i Nismës, Endrit Shala ka kërkuar që sa më shpejt komisioni t’i bëjë përgatitjet dhe që të ftohet Simmons të raportuar me 15 dhjetor.

“Unë mendoj që ne të vendosim sot sa ma shpejt që është e mundur që është data 15 dhjetor dhe komisioni t’i bëjë të gjitha përgatitjet që ta dëgjojmë tani varësisht prej dëshmisë së tij t’i lëmë edhe datat 16 dhe 17 dhjetor”.

Kurse deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se ky është vetëm fillimi i diçkaje të rëndësishme dhe do të jetë proces i gjatë.

“Po e shoh që ka me qenë proces që ka me vazhduar se nuk do të jetë një takim i thjeshtë por do të jetë fillimi i një procesi më të gjatë. Të gjithë ne e kemi qëllimin e njëjtë që ta nxjerrim të vërtetën e mundshme”.

“Sa i përket pushimit neve nuk ndalon asgjë që të mblidhemi javë e parë të janarit, dhe nëse takohemi javën d parë të janarit nuk na pengon dhe ma mirë është me qenë prezent në Kuvend”.

Ndërsa deputeti i VV-së Alban Hyseni ka thënë që për shkak që muaji dhjetor është maj i festave, ka Simmons mund të raportojë në janar, raporton EO.

“Unë po e kuptoj urgjencën e çështjes dhe si subjekt politik çështjen e EULEX-it i kemi ngritur më shumë se të tjerët, dhe mendoj që është mirë me grupet tjera parlamentare ne të përgatitemi”.

Gjatë mbledhjes së sotme Komisioni është Njoftuar edhe me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian,Tomas Szunyong, për emërimin e ShT Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës.