Si u dizajnua fustani “amerikan” i Zonjës së Parë të Kosovës?

2 vite më parë

Si u dizajnua fustani “amerikan” i Zonjës së Parë të Kosovës?

Vizita e Presidentit Hashim Thaçi në SHBA, e realizuar në periudhën e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të mbahet në mend për një veçori.

Thaçi u takua me homologun e tij amerikan, Donald Trump, por për dallim nga vizitat e kaluara kësaj radhe ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Lumnija, Zonja e Parë e Kosovës, me të cilën pozoi edhe në fotografinë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, së bashku me Presidentin Trump dhe Zonjën e Parë të Amerikës, Melania, transmeton Klan Kosova.

Lumnije Thaçi kishte të veshur fustan me ngjyrë vjollcë të errët, ndërsa Melania Trump fustan me ngjyrë të zezë.

”Ngjyra vjollcë është nuanca më unike, më e pazakonshme dhe më ‘rojale’, që historikisht nga udhëheqësit është përdorur rrallë dhe vetëm në evente të veçanta”, shprehet për klankosova.tv Vjollca Llapashtica, dizenjatorja e cila është kujdesur për dukjen e Lumnije Thaçit gjatë vizitës zyrtare në SHBA.

Llapashtica për klankosova.tv zbuloi sekretin e fustanit me të cilin Lumnije Thaçi u takua me Donald dhe Melania Trump.

”Materiali është i përzgjedhur veçanërisht për Zonjën e Parë, shtof i plotë me shtresë mëndafshi, kurse çmimi në tregun tonë është 580 euro”.

Ajo tregoi se ka kohë që bashkëpunon me Zonjën e Parë të Kosovës për veshjet e saja në paraqitjet publike.

“Zonja Thaçi është tejet elegante dhe gjithmonë e respekton kodin e veshjes”.

Shenaj Shala, eksperte e protokollit të Presidencës, nuk e ka komentuar stilin e veshjes së zonjës Thaçi, por ka folur për ndikimin që mund ta ketë ajo.

Në një prononcim për klankosova.tv, Shala tha se prezenca e Lumnije Thaçit si Zonjë e Parë në ngjarjet e rëndësishme e përforcon imazhin e saj publik, duke i dhënë rast që t’i shfrytëzojë këto ftesa për angazhim më të madh, zgjerim të rrjetit të kontakteve dhe promovimin e vlerave të shtetit të Kosovës.

“Në të shumtën e rasteve, pozita e Zonjës së Parë bart me vete vetëm detyra ceremoniale, por roli i Zonjës së Parë ka ndryshuar shumë gjatë dekadave të fundit”.

”Për shembull, Zonjat e Para në SHBA mund të përfshihen në përkrahje të kauzave, përfaqësim të presidentit në raste ceremoniale, por edhe të kenë pjesëmarrje në kampanja politike”, shprehet Shala për klankosova.tv

Sa i përket paraqitjeve të rralla të Zonjës së Parë përkrah Presidentit Thaçi, ajo pohon se Lumnije Thaçi do të duhej ta përdorte më tepër statusin e saj.

“Zonja Thaçi duhet të gjejë mënyra për angazhime dhe iniciativa të ndryshme që do ishin tejet pozitive për të dhe për vendin”.