Si mund ta çojë beteja e Haradinajt me LDK-në Vjosa Osmanin në Zyrën e Presidentit

4 javë më parë

Si mund ta çojë beteja e Haradinajt me LDK-në Vjosa Osmanin në Zyrën e Presidentit

Njoftimi i Speciales për propozim-aktakuzën ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, i zgjoi ambiciet e disa individëve për të zënë karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Këto ambicie që kanë lëkundur fort edhe koalicionin qeverisës mund të shkaktojnë një tërmet të ri politik në vend, në rast se Specialja njofton se presidentit Thaçi iu është konfirmuar aktakuza ku ngarkohet me akuza për krime të luftës.

Atëherë, siç edhe Thaçi ka theksuar disa herë, do të dorëzojë menjëherë dorëheqjen nga posti i presidentit e rrjedhimisht, kjo pozitë do të mbetet me ushtrues detyre.

Se si do të rrjedhin procedurat nëse presidenti Thaçi jep dorëheqje ka treguar në një përgjigje për Gazetën Express, Eugen Cakolli nga KDI.

Ai thotë se në rast se ndodh një skenar i tillë, atëherë iniciohen menjëherë procedurat për kalimin e kompetencave të kryetarja e Kuvendit.

Në këtë rast, kryeparlamentarja Vjosa Osmani do të bëhej ushtruese e detyrës së presidentit të shtetit.

“Në rast të dorëheqjes eventuale të Presidentit Thaçi, atëherë menjëherë iniciohen procedurat për kalimin e kompetencave tek Kryetarja e Kuvendit, e cila bëhet ushtruese e detyrës së Presidentit”, thotë Cakolli, që shpjegon se kryeparlamentarja e ushtron këtë detyrë deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së presidentit.

Ky afat kohor, mund të zgjasë deri në gjysmë viti e nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Këtë funksion, kryetarja do ta ushtrojë deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri nga Kuvendi. Sidoqoftë, Kushtetuta përcakton që kryetarja nuk mund ta ushtrojë postin e u.d. të Presidentit më shumë se 6 muaj. Brenda kësaj periudhe duhet të zgjidhet Presidenti i ri, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës. Në pamundësi të zgjedhjes së Presidentit të ri, Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e u.d. të Presidentit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen brenda 45 dite”, thotë KDI-ja për Gazetën.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se si zgjidhet presidenti i shtetit. Sipas nenit 86, presidenti zgjidhet në Kuvend të Kosovës, me votim të fshehtë.

Në këtë pozitë mund të nominohet si kandidat, ai apo ajo që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit, derisa saktësohet se deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president.

Zgjedhja e kreut të shtetit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

“Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, saktësohet në Kushtetutë, në nenin që flet për zgjedhjen e presidentit.

Se një skenar i tillë ku kryeparlamentarja udhëheq me shtetin për një kohë, në pamundësi të zgjedhjes së presidentit të ri po deklarojnë në Lëvizjen Vetëvendosje. Një nga figurat kryesore të kësaj partie, e ish-kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca thotë se Vjosa Osmani shumë shpejtë do të jetë në detyrën e presidentit.

“Vjosa Osmani shumë shpejt do të ushtrojë detyrën e presidentit. Ajo do të marrë vendimet e presidentit për Kosovën. Nëse e pranon Vjosa Osmani kandidimin për presidente, kjo është një situatë e re në Kosovë. Por unë nuk mendoj se Vjosa Osmani do e legjitimojë qeverinë e Hotit për tre vite të tjera. Është mirë që fillimisht postin e presidentit ta ushtrojë Vjosa Osmani”, tha ai mbrëmë.

Megjithatë, Osmanin si presidente nuk po e pranojnë në ish-partinë e saj. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se nuk do të votohet Vjosa Osmani për presidente të Kosovës vetëm pasi ajo është hidhëruar.

“Nuk ia falim Vjosës pozitën e presidentes veç pse është hidhëruar”, ka deklaruar Haziri, duke thënë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa duhet të emërohet në këtë pozitë.

Për pozitën e të parit të shtetit është duke insistuar Ramush Haradinaj që tashmë është mandatuar nga partia e tij për të kandiduar në këtë pozitë. Ai ka kërcënuar me dalje nga koalicioni, në rast se LDK-ja dhe Nisma nuk ia japin votat që i duhen për të kaluar në Kuvend.

Ky kërcënim i tij nuk është pranuar nga partnerët e koalicionit, që kanë thënë se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Express