Si ia doli “Tesla” ta definojë epokën e re të automobilizmit

1 javë më parë

Si ia doli “Tesla” ta definojë epokën e re të automobilizmit

Ngjitja e kompanisë ka zënë në befasi shumë investitorë. Por zyrtarët në “Daimler”, kompaninë amë të “Mercedes-Benzit”, kishin përcjellë nga afër që nga 2009-a rrugën që “Tesla” dhe shefi i saj, Elon Musk, po e ndërmerrnin në prodhimin e veturave që sfiduan sistemin tradicional

Rritja e shpejtë e “Teslas” për t’u bërë prodhuesi më i vlefshëm i automobilave në botë, mund të konsiderohet si start i një epoke të re për industrinë botërore të automobilave, të definuar nga fokusi kah softueri që tejkalon prodhimin e shkollës së vjetër.

Ngjitja e kompanisë ka zënë në befasi shumë investitorë. Por zyrtarët në “Daimler”, kompaninë amë të “Mercedes-Benzit”, kishin përcjellë nga afër që nga 2009-a rrugën që “Tesla” dhe shefi i saj, Elon Musk, po e ndërmerrnin në prodhimin e veturave që sfiduan sistemin tradicional.

“Daimler”, që mban emrin e njeriut që ka shpikur veturën moderne 134 vjet më herët, kishte blerë rreth 10 për qind të aksioneve të “Teslas” në maj të 2009-s, në një marrëveshje që i kushtoi 50 milionë dollarë për kompaninë fillestare.

Ai investim i dha inxhinierëve të “Mercedesit” pamje nga brenda se si Musku po punonte në lansimin e teknologjisë që s’ishte e përsosur, dhe më pas do të vazhdonte ta përditësonte, duke përdorur stilin e përditësimeve sikur te telefonat e mençur, duke i kushtuar pak vëmendje fitimit të hershëm.

Inxhinierët e “Mercedesit” ndihmuan “Teslan” të zhvillojë veturën “Model S” në këmbim që të ketë qasje në prodhimin e pjesshëm të pakove të baterisë, por më 2014 “Daimler” vendosi të shesë aksionet e veta mes dyshimeve që qasja e “Teslas” mund të industrializohej.