7 muaj më parë

Si ia dolën politikanët kosovarë ta ndryshojnë në popull atë që s’kanë arritur të ndryshojnë pushtuesit me shekuj?

Si ia dolën politikanët kosovarë ta ndryshojnë në popull atë që s’kanë arritur të ndryshojnë pushtuesit me shekuj?

500 vjet të sundimit otoman dhe 100 vjet të pushtimit sllav nuk kanë qenë në gjendje t’i ndryshojnë dy gjëra te populli shqiptar: konstruktin e të menduarit dhe shpresën. Por, atë që s’kanë arritur ta bëjnë otomanët e sllavët me shekuj, ia kanë dalë ta bëjnë politikanët tanë në Kosovë brenda pak vjetësh. Në këtë përfundim ka ardhur kohë më parë neuropsikiatri i njohur, Afrim Blyta. Ai thotë se nomenklatura që e udhëheq vendin që nga paslufta, pos që ka arritur t’ia ndryshojë konstruktin e të menduarit, ia ka rrëmbyer edhe shpresën popullit. E gjithë kjo, siç thotë ai, është arritur duke e bërë të padrejtën – të drejt, të pavlerën – vlerë dhe të pafytyrën – fytyrë.

Teorisë së tij i jep vulë vetë presidenti i shtetit, Hashim Thaçi. Kur është pyetur se cilin prej 120 deputetëve të Kosovës e vlerëson më së shumti, ai e ka veçuar pikërisht atë që është bërë lajm i botës për grushtime në studio televizive e që përballet me akuza për mashtrim të qytetarëve. Kështu kreu i shtetit i ka treguar popullit se për të modeli i një deputeti të mirë, është ai i deputetit problematik e që ka telashe me ligjin. Thjesht është ai modeli që në një shoqëri për së mbari do ta personifikonte të keqen.

Presidenti ka mundur t’i shmangej përgjigjes dhe të mos përmendte emra të përveçëm, por ja që s’e ka bërë këtë. Kështu, ai i ka lënduar të mirët dhe i ka dekurajuar ata që kanë vlera. Kjo nuk vlen vetëm për ata që janë brenda Kuvendit. Një studim i botuar kohë më parë në revistën shkencore “Nature”, nxirrte në pah se ata që jetojnë në vende të qeverisura prej një klase politike të keqe, e kanë më pak problem që të jenë edhe vetë të pandershëm.

Marrë parasysh konstatimin e Blytës në njërën anë dhe studimin shkencor në anën tjetër, nuk është çudi që sot e keqja është kthyer në kulturë, ku i zoti nuk cilësohet ai që ka arritur suksese në një lëmi, por ai që ka bërë pasuri qoftë edhe në formë të paligjshme. Në një mjedis të kontaminuar nga antivlerat, nuk është më çudi që në studiot televizive të shohim e të dëgjojmë njerëz që akuzohen për plagjiaturë, duke dhënë udhëzime se çfarë kahu duhet të marrë shteti. Nuk është çudi, as kur e dëgjon një ministër duke u bërë thirrje qytetarëve për respektim të ligjeve, ndërsa vetë është duke u ndjekur nga organet e drejtësisë.

Kur shteti e merr të mbrapshtën, nuk është çudi që vendimet e mëdha merren nëpër oda e restorante, sikundër që nuk është çudi që paraja publike shpërndahet përmes tenderëve nëpër xhepa të njerëzve të afërt të liderëve të partive në pushtet. E pra, në këtë kaos s’është çudi edhe nëse një anëtar bordi në një ndërmarrje publike, brenda muajit i punëson katër familjarë në të njëjtën ndërmarrje, ndërsa një studente e Oxfordit, me një karrierë të bujshme pune në institucione me nam ndërkombëtar, del të mos jetë mjaftueshëm e “kualifikuar” për të punuar si asistente në Fakultetin e Juridikut, sepse për atë vend pune i kualifikuar është vetëm miku i dekanit.

Dhe kur vjen puna deri në pikën sa e keqja të mos përbëjë më lajm, as kryeministri nuk skuqet kur thotë se shqiptarët nuk kanë fuqi të mjaftueshme për t’u përballur me të tjerët pasi ata e vjedhin shtetin e vet. E vërteta është se nuk vjedhin të gjithë, por perceptimi i tij për fenomenin është i kufizuar në rrethin e njerëzve me të cilët bashkëqeveris, bashkëpunon dhe shoqërohet.

Guy Claxton, profesor i shkencave mësimore në Universitetin e Winchesterit, thotë se njerëzit e pushtetit e humbin shpesh kontaktin me realitetin. Tradicionalisht, njerëzit e pushtetshëm kanë pasur një kloun që i vinte në lojë, që bënte shaka me ta, duke ua kujtuar në mënyrë të vazhdueshme se janë thjeshtë qenie njerëzore. Kjo, sipas Claxton-it, do të thotë se një kujtesë për gabueshmërinë është e domosdoshme kur je udhëheqës, në çfarëdolloj fushe.

Por a do të funksiononte angazhimi i klounëve për t’i vënë në lojë edhe pushtetarët në Kosovë? Gjasat janë që Jo! Gjendja këtu tashmë është e rënduar. Me të drejtë Blyta e përmbledh gjithë politikën kosovare në një emërues të përbashkët, e ai emërues quhet amoraliteti. Kjo gjendje nuk tejkalohet për aq kohë sa inteligjenca është e fjetur.