Si e kam njohur profesor Anton Çettën?

2 javë më parë

Si e kam njohur profesor Anton Çettën?

Nga: Bajram Mjeku

Profesor Anton Çettën e kam njohur në maj të vitit 1973, atëherë kur isha vetëm nëntë vjeç.

Profesori i ndjerë veç mbledhjes së folklorit, kishte edhe një pasion tjetër po aq të madh; peshkimin!

Ditëve të vikendit, ai vinte me trenin e hershëm të mëngjesit dhe vendosej buzë lumit Drenica, i cili atëbotë kishte peshk me bollëk. Asnjëherë nuk do ta harroj buzëqeshjen e tij dhe mirësjelljen e jashtëzakonshme. Kisha ndjesinë që sa herë fliste Profesori, nga cepat e buzëve të tij rridhte mjaltë.

– E kapi!, – thoshte Profesori sa herë ndonjë krap apo mlysh rrëmbente karremin derisa zinte peshk.

Ajo që më së shumti më ka mbetur në kujtesë, ishte mënyra se si profesor Anton Çetta e ndërronte hapësirën e peshkimit dhe përqëndrohej në një gji të ri të lumit. Ditëve të para, kur Profesori ndërronte vendin e peshkimit, mbi pellgun e lumit nuk e hidhte asnjëherë karremin. Hidhte vetëm troha buke mbi ujë dhe kështu vepronte për gati një javë, derisa javën tjetër, sa herë e hidhte karremin, nuk iknin as pesë minuta dhe Profesori nxirrte peshkun tjetër.

Një herë e pata pyetur:
– Pse Profesor hedhë vetëm bukë, pa e hedhur karremin në ujë?!

Profesori me buzëqeshjen që i rrëzëllente gjithmonë në fytyrë më pati thënë:
– Kur të rritesh do ta kuptosh më mirë!

Ky veprim i profesor Çettës më pati mësuar se asnjëherë mos bëj asgjë pa ushqyer terenin!
Në njërin nga vikendet kur Profesori vinte mëngjeseve të hershme, më pyeti:
– Lexon ndonjëherë ndonjë libër?!

Kur i fola se cilët libra kisha nisur t’i lexoj, që ishin shumë të rëndë për moshën time, Profesori u shqetësua dhe më tha të ndaloja menjeherë së lexuari librat që nuk ishin për moshën time. Atë mbasdite mblodhi gjësendet e peshkimit dhe u kthye në Prishtinë. Të nesërmen në mëngjesin e hershëm, megjithëse ishte ditë pune, Profesori u shfaq para portës së oborrit të shtëpisë sonë. Kishte sjellë një pako të mbushur me rreth njëqint tituj të ndryshëm romanesh dhe “fajtor” për të ardhmen e profesionit tim është pikërisht profesor Anton Çetta!

Ai e respektonte shumë familjen time, por edhe familja ime e respektonte pa fund.

Aq shumë gëzonte respekt profesor Anton Çetta, sa kur isha student shpesh e kam ndërruar rrugën nga frika se nuk dija ta respektoja autoritetin e tij që rrëzëllente dije e dinjitet aq të madh.

Mbas studimeve, jam takuar shumë herë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, kur vinte të takohej me studentin e tij dhe Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Njëzetekatër vjet mbas vdekjes së Tij dhe mbas kontributit të jashtëzakonshëm në fushën e shkencës dhe humanizmit njerëzor, është e turpshme dhe jodinjitoze për institucionet e Kosovës që monumentit të tij të mos i gjendet një hapësirë, as më shumë dhe as më pak se sa meritonte personaliteti i Tij prej Profesori në njërën anë dhe dinjitari të madh në anën tjetër./AktivPress/