Shuhet “mbreti” i bossa nova

1 javë më parë

Shuhet “mbreti” i bossa nova

Braziliani Joao Gilberto, muzikanti i cili konsiderohet si “babai dhe mbreti” i stilit muzikor bossa nova, kënga e të cilit “The Girl from Ipanema”, gati rreth 60 vjet pas ekzekutimit të parë edhe më tutje prek zemrat e njerëzve anembanë botës, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Lajmin e hidhur e publikoi i biri Joao Marcelo në Facebook: “Babai im ka vdekur. Lufta e tij ishte fisnike, u përpoq ta ruante dinjitetin derisa po humbiste autonominë”, ka shkruar Marcelon për babanë e tij, i cili kishte jetuar i vetëm dhe në varfëri në Rio. Nuk ka theksuar shkakun e vdekjes.

Si ngjizja e bossa hovas konsiderohet pikërisht momenti kur kitaristi dhe këngëtari Joao Gilberto, në vitin 1958, kishte publikuar këngën “Chega de Saudade”, dhe më pas karriera e tij nisi ngjitjen. Interpretoi në skenat anembanë botës, ndërsa publikun e kishte sharmuar me zërin e tij të butë pëshpëritës.

Hiti i tij më i madh, “The Girl from Ipanema”, u bë himni planetar i bossa hovas dhe kënga më e njohur braziliane e të gjitha kohërave, ndërsa e ka kënduar bashkëshortja e tij e parë Astrud Gilberto, shkruan KOHA Ditore. Madje edhe legjendari Frank Sinatra e kishte futur këtë këngë në repertorin e tij më 1967.

Se sa i dashur dhe i popullarizuar ishte Joao Gilberto flet edhe fakti që në vitin 2008 kishte shitur krejtësisht të gjitha biletat për koncertin me rastin e 50-vjetorit të bossa nova për më pak se një orë. Për fat të keq, artisti i ndjeshëm dhe i heshtur ka vdekur i vetmuar, i shkatërruar në aspektin financiar dhe shëndetësor për shkak të konfliktit mes dy fëmijëve të tij në njërën anë, djalit Joao Marcelo dhe vajzës Bebel, dhe bashkëshortes së fundit, Claudia Faissol, gazetares 40 vjet më të re se ai dhe nënës së vajzës së tij adoleshente, në anën tjetër.