Shuarja e Task-Forces anti-korrupsion ngre shqetësime serioze në Bruksel

1 muaj më parë

Shuarja e Task-Forces anti-korrupsion ngre shqetësime serioze në Bruksel

Edhe Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime rreth vendimit të qeverisë së Kosovës për të shuar Task-forcën për luftë kundër korrupsionit që vepronte në kuadër të Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që sa më parë që të jetë e mundshme të sqaroj pozicionin e saj.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-forcës speciale të anti-korrupsionit në kuadër të policisë së Kosovës ngrit shqetësime serioze rreth përkushtimit të Kosovës për të luftuar korrupsionin. Kjo zyre luan rok kyç në luftë kundër korrupsionit, siç është vlerësuar edhe në raportin e Progresit dhe në raportin për monitorimin e drejtësisë të prezantuar nga EULEX-i. Qeveria duhet sa më shpejtë që të jetë e mundur ta sqarojë pozicionin e saj”, ka thënë në përgjigjen e saj rreth këtij vendimi të qeverisë, zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit dhe fqinjësisë, Ana Pisonero.

Në Bruksel, pos me shqetësime, e kanë pranuar edhe me habi këtë lajm duke pasur parasysh se vjen vetëm disa ditë pasi Komisioni Evropian në raportin e Progresit kishte kërkuar që të ketë vullnet të vërtetë politik për ta luftuar korrupsionin në Kosovë dhe kishte konstatuar se edhe kjo Task-forcë kishte një rol kyç në këtë drejtim.

Vendimi i qeverisë së Kosovës aq më tepër duket i çuditshëm, pasi disa shtete anëtare pikërisht mungesën e rezultateve konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i përmendën si arsye pse ende nuk ka kushte për liberalizim vizash për Kosovën. Në këto kushte, vendimi i qeverisë së Kosovës ka nxitur shqetësime edhe në Bruksel e edhe në disa kryeqytete të vendeve anëtare./KOHA