Shtyhet sërish hapja e pikës së përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

5 ditë më parë

Shtyhet sërish hapja e pikës së përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Në qershor të vitit 2018 zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ai i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar vunë gurthemelin e objektit kufitar.

Zyrtarët e dy shteteve siguruan se në janar të vitit 2019 pika kufitare do të hapej, por kjo nuk ndodhi. E si duket kjo nuk do të ndodhë as në muajin gusht kur edhe është paraparë që të hapet vendkalimi i përbashkët kufitar mes dy shteteve. Projekti ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Kosovë realizohet me financimin e Bashkimit Evropian, ndërsa është pjesë e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.

Edhe pse muaj më parë Ministria kishte deklaruar se muaji gusht do të jetë muaji kur do të hapet për qarkullim pika kufitare Bellanoc-Stançiq, tash kjo Ministri thotë se data do të caktohet posa të përfundojnë punët.

“Pika e Kalimit të Kufirit Stanqiq/Bellanovc, është pikë e përbashkët dhe punët kryhen nga një punë kryes. Data për hapjen e kësaj pike do të caktohet posa të merret informata nga punë kryesi për përfundim e punëve”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar se sipas kontratës punimet duhet të përfundojnë më 28 gusht.

“Kjo Pikë e Kalimit Kufitar është ende në proces e sipër në punime dhe sipas kontratës me kompaninë kontraktuese punimet duhet të përfundojnë më datë 28 Gusht 2019”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

MPB-ja ka dhënë datën se kur duhet të kryhen punimet nga punë kryesi sipas kontratës por nuk ka dhënë datë e as muaj se kur do të hapet për qarkullim kjo pikë kufitare.

Banorët e vendbanimeve kufitare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vazhdimisht janë ankuar për neglizhencën e autoriteteve shtetërore për mos hapjen e pikës kufitare që lidh dy shtetet.

Sipas banorëve mos funksionalizimi i këtij vendkalimi kufitar ka bërë që të udhëtojnë qindra kilometra për të shfrytëzuar pikën kufitare të Bllacës për tu lidhur me qytetet kufitare të Gjilanit respektivisht Kumanovës.

Hapja e kësaj pike kufitare ka rëndësi strategjike për shkak të pozitë gjeografike e cila lidh 3 shtete Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në atë që njihet si “Trekëndëshi i Kufirit” në aspektin e ekonomisë dhe tregut, qarkullimit të njerëzve etj. /Express