Shteti pritet të vendosë “haraç” për ata që shkojnë në Bogë, Prevallë e Rugovë

10 muaj më parë

Shteti pritet të vendosë “haraç” për ata që shkojnë në Bogë, Prevallë e Rugovë

Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë “haraç” vetëm në Rrugën e Kombit.

Shumë shpejt, ata do të detyrohen të paguajnë edhe kur vizitojnë Bogën, Prevallën, Rugovën e parqet e tjera nacionale në vend.

Shuma e parave që kosovarët do të duhet të paguajnë për të kaluar tutje laurave për një ditë shkon deri në 3 euro, varësisht se me çfarë automjetesh do t’u drejtohen këtyre qendrave.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë thënë Gazetës Express se kompenizmet për çdo lloj të shfrytëzimit të resurseve dhe hapësirës së këtyre parqeve janë të parapara me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës si dhe menaxhimin e parqeve kombëtare.

Zëdhënësi i MMPH’së, Leutrim Sahiti ka thënë se arsyeja e vendosjes së laurave nëpër këto qendra është mbrojtja e tyre nga veprimet ilegale.

“Prandaj qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është për mbrojtjen e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale që ndodhin në territorin e Parqeve Kombëtare siç mund të jenë: prerja e pyjeve, ndërtimet ilegale, gjueti ilegale si dhe degradimet tjera që ndodhin në territorin e Parkut”, ka thënë Sahiti.

Por, ndonëse vendosja e tyre është paralajmëruar që nga viti i kaluar, ende nuk është filluar me pagesa. Për këto vonesa, në Ministrinë e Ambientit e drejtojnë gishtin kah kompania fituese e tenderit.

“Ju informoi se hyrjet në Parqe Kombëtare nuk kanë filluar ende me pagese, sepse operatori ekonomik për ndërtimin e laurave është në fazën finale të ndërtimit dhe të pranimit teknik”, thuhet në përgjigjet e MMPH’së.

Deklarojnë se edhe Drejtorit e Parqeve Kombëtare kanë mungesa në staf rreth menaxhimit të këtyre laurave “dhe se në momentin që do të gjendet zgjidhja e problemit me staf atëherë do të funksionalizohen dhe do të filloi edhe sistemi i pagesave sipas rregullores për shërbimet e AMMK-së dhe institucioneve të sajë.”

Në tabelën me çmime që ka siguruar Express nga MMPH’ja, thuhet se çmimet për hyrje dhe vizita për një ditë në këto parqe fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.

Hyrja për fëmijë të moshës 10-18 vjeçar kushton 50 centë në ditë, derisa për persona të rritur është 1 euro.

1 euro kushton edhe hyrja për automjete dhe motoçikleta, ndërkohë që për të hyrë me kombibus në këto parqe duhet të paguash 2 euro.

Kosto më të lartë ka hyrja me autobus dhe kamionë. Kushdo që ua mësynë këtyre parqeve me këto automjete do të duhet të paguajë 3 euro për një ditë.

Në MMPH deklarojnë se këto pagesa janë të rregulluara sipas Rregullores për Shërbimet e AMMK-së dhe institucioneve të sajë.

Ndryshe, një pagesë e tillë tashmë aplikohet në Brezovicë. Laura në këtë qendër turistike është vendosur në janar të vitit 2018 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sidoqoftë, që nga aplikimi i kësaj takse, shumë qytetarë janë shprehur kundër saj. Sipas tyre, së pari do të duhej të investohej nëpër qendrat turistike pastaj të vendosej taksa. /Express