Shteti merr qindra vetura me qira, paguan miliona euro për to

11 muaj më parë

Shteti merr qindra vetura me qira, paguan miliona euro për to

Plot 358 vetura të reja do të jenë në shfrytëzim të institucioneve të vendit.

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka nënshkruar dy kontrata për marrjen e tyre me qira, e për to do të paguhet mbi 7 milionë euro për periudhën prej 5 vjet e 6 muaj, raporton KTV.

Drejtori i autosallonit Mita, Zgjim Mita, thotë se një praktikë e tillë ndiqet nga kompani të mëdha dhe nga shtete të rajonit dhe në çmimin e qirasë mujore përfshihen edhe regjistrimi, sigurimi, mirëmbajtja dhe benefite të tjera.

Për një praktikë të tillë, sipas Ekrem Rexhës, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, ishin rekomanduar nga konsulentë e auditorë dhe, sipas tij, pritet që në këtë formë të kursehet buxheti.

Numri më i madh i veturave do të shkojnë për Këshillin Gjyqësor, Policinë e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Ndërsa nga ministritë, ajo e Infrastrukturës dhe ajo e Drejtësisë.

Ministria e Administratës Publike ka thënë se ka të evidentuara gjithsej 965 vetura në kryeministri, ministri e dogana.