Shqiptarët në Aleksandri në shekullin 20

3 muaj më parë

Shqiptarët në Aleksandri në shekullin 20

Në historinë e lavdishme të kolonisë shqiptare në Egjipt, që zgjati nja dy shekuj, Aleksandria zë vend të posaçëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare me botimin e librit “Bleta shqiptare” të Thimi Mitkos në pranverën e vitit 1878 dhe disa botimeve të tjera më vonë.

Kjo pozitë e Aleksandrisë u forcua me stabilizimin e shtetit kombëtar pas vitit 1920, përkatësisht me ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Egjiptit dhe hapjen e Konsullatës shqiptare në Aleksandri më 1922, shkruan sot Koha Ditore.

Kuptohet, më vonë ajo kaloi në Kajro dhe u shndërrua në ambasadë me zhvillimin e marrëdhënieve midis Mbretërisë shqiptare dhe Mbretërisë egjiptiane në krye me mbretin Fuad (1917-1936), ish-kandidatin për fronin shqiptar më 1912-1913, si dhe me mbretin Faruk (1936-1952)

Mirëpo zhvillimet e hovshme në vitet ‘30-‘40 të shekullit 20 diktuan ndikimin e tyre, kështu që prania shqiptare në Aleksandri u fuqizua dhe u bë qendër e një pranie të mirë politike, ushtarake dhe intelektuale shqiptare në vitet ’40 e ‘50 të shekullit 20.

Për këtë kemi tani një burim të ri, përkatësisht kujtimet e Skënder Zogut, nipi i Ahmet Zogut, i cili ishte dëshmitar i asaj pranie shqiptare në Aleksandri gjatë jetës së tij atje, brenda viteve 1947-1955. Kujtimet u botuan së pari në Paris, ku u vendos S. Zogu pas largimit të tij nga Aleksandria, kurse tani dolën edhe në gjuhën shqipe me titull “Një jetë në shërbim të kombit shqiptar – Kujtime mërgimi” (Tiranë 2017)./ Muhamed Mufaku