“Shqiptarët jemi racë që e duam më shumë të huajin”

3 javë më parë

“Shqiptarët jemi racë që e duam më shumë të huajin”

Drejtori i TV Klan në Shqipëri, Aleksandër Fragaj, ka ndarë momente prej shtrirjes menjëherë pas luftës në Kosovë, situatën politike në Kosovë dhe Shqipëri si dhe projektin e ndërtimit të Autostradës së Kombit.

“Pasi investuam në Shqipëri, çlirimi i Kosovës na dha një mundësi që në ditët e para që të vimë dhe të investojmë në Kosovë, kemi qenë TV i parë që kemi vendos antenat në Çyçavicë, në një majë mali pa rrugë. Ka qenë një dëshirë e imja shumë e madhe dalja në transmetim në Kosovë”, ka thënë Fragaj.

“Nuk mund të them se kam nisë me ndonjë ideal të madh, por detyrimi për të transmetuar në një territor që pas luftës nuk kishte asnjë televizion. Kur kam hyrë në Kosovë territori ishte bosh pa asnjë mjet komunikimi. Shqiptarët jemi treg i vogël. Ndryshimi i teknologjisë është në hap shumë të shpejt. Tek po ndërrojnë dita-ditës. Kemi të njëjtën kosto në prodhim në teknologji dhe jemi si fshati më i vogël”, ka thënë Fragaj i cili ka themeluar edhe televizionin Klan Kosova.

Fragaj në Zona e Debatit ka thënë se meritën më të madhe për ndërtimin e rrugës së kombit e ka ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Ka qenë vendimmarrje e tij. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri ishte greke në atë kohë. Ata ishin për të bërë një rrugë me dy korsi nëpër mal, por nuk ishte autostradë dhe ka qenë vendimmarrja e tij absolute edhe pse nuk ia financoi asnjë organizatë ndërkombëtare. Ai tha se do ta bëjmë”.

“Tenderimet e para për Kalimash-Morinë kanë qenë për dy korsi, jo autostradë. Projekti i parë është bërë me dy korsi. Kur u diskutua çështja e tunelit me të cilën Berisha u morr tepër, ai tha “nëse duam të bëjmë rrugë, rruga është autostradë”. I ka thënë ministrit të atëhershëm të transportit se rruga për Kosovë duhet të jetë me katër korsi. Po të mos e bënte Sali Berisha sot e 100 vjet rruga do të ishte me dy korsi. Berisha ka qenë i lidhur shumë me Kosovën”.

Ai ka qenë kritik mbi ndërtimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ka pas përpjekje deri edhe të bëjmë një ligë futbolli që s’u bë. Nëse do të ishte një kampionat a do të ishte më cilësor? Dy shtet shqiptare një komb shqiptar të bashkëpunojë aq pak… Jemi racë që më shumë preferojmë të huajin se njeriun tonë. Jo vetëm në nivele të larta politike. Jemi pak dhe nuk bashkëpunojmë as në politikë, as arsim, kulturë, biznes…”.