Shqipëria ndër vendet e para për dëbime nga Gjermania

1 javë më parë

Shqipëria ndër vendet e para për dëbime nga Gjermania

Njerëzit nga Ballkani mund të jetojnë në Gjermani vetëm në kuadër të qëndrimit me leje pune. Rregullorja e mundëson këtë. Shanset për azil janë gati zero. Dëbimet vazhdojnë edhe në shtator.

Nga Gjermania në gjysmën e parë të vitit 2019 janë dëbuar rreth 11.500 vetë. Një rritje e vogël krahasuar me një vit më parë. Kjo është përgjigja që Qeveria gjermane i dha në gusht kërkesës së bërë nga partia e Majta lidhur me dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar nga Gjermania. Dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar do të vazhdojnë edhe në shtator.

Vendet kryesore ku dërgohen të dëbuarit janë Shqipëria, Italia, Serbia, Gjeorgjia dhe Franca. Më së shumti dëbohen shqiptarë, serbë, rusë, gjeorgjianë dhe nigerianë.

Ndërkohë këtë vit në kufirin gjerman janë kthyer ose nuk iu është lejuar hyrja në Gjermania 6.905 vetëve. Në kuadër të rregulloreve të Dublinit, Gjermania ka kthyer në këtë periudhë 4215 azilkërkues në vende të tjera të BE-së, sepse aty ata kanë shkelur për herë të parë tokën europiane.

Në Gjermani ndodhen më shumë se 246.000 vetë, të cilët duhet të largohen nga vendi. 191.117 prej tyre kanë statusin e “duldung”-ut, që do të thotë se për arsye ligjore ose praktike dëbimi nuk kryhet dot.

Ndërkohë këtë vit nga Gjermania u larguan vullnetarisht 6.786 vetë, duke shfrytëzuar ndihmën e kthimit/DW