Shqipëria “bashkon” forcat me Malin e Zi për shkak të Rusisë

3 vite më parë

Shqipëria “bashkon” forcat me Malin e Zi për shkak të Rusisë

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka pritur sot në një takim ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviç.

Kodheli e cilësoi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për t’i rikonfirmuar Malit të Zi se shumë shpejt do të rreshtohet zyrtarisht si anëtar me të drejta të plota në NATO.

Ministrja Kodheli përshëndeti shqiptarët e Malit të Zi, të cilët i konsideroi si një urë të përjetshme lidhëse mes të dy vendeve, dhe nënvizoi se e ardhmja e përbashkët është NATO dhe Bashkimi Evropian.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Predrag Boshkoviç falenderoi ministren Kodheli për ftesën dhe gjithashtu për punën e bërë dhe mbështetjen për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Ministrat u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve, ku u prek ndikimi i Rusisë në Ballkan.

Në Mal të Zi kemi ngjarjen e keqe që ndodhi para zgjedhjeve, një atentat i dështuar ndaj kryeministrit Gjukanoviç, gjithashtu në Kosovë kemi një situatë jo aq të mirë lidhur me FSK ku kërkohet ngritja e ushtrisë. Në Maqedoni kemi një prag grusht shteti, në Shqipëri situata nuk është fort e mirë. Realisht për të dy ministrat, sa e vërtetë është kjo frikë nga Rusia dhe sa i gatshëm është rajoni në bashkëpunim me NATO-n për të ndaluar këto trysni që Rusia kërkon të vendos në Ballkan?

Ministrja Kodheli: Aleanca e Atlantikut është një Aleancë politiko-ushtarake, e cila funksionon bazuar  në mbrojtjen e vlerave të anëtarëve të saj, por ndërkohë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë frikë nga politika e dyerve të hapura.

Një arsye me tepër pse Mali i Zi sot që flasim është krejt pranë pranimit të tij në gjirin e kësaj familjeje të madhe. Sa më shumë vende të Ballkanit të jenë pjesë e kësaj Aleance, Aleancë që mbron vlerat, aq më mirë do të jetë për sigurinë dhe mbrojtjen e secilit prej nesh. Thënë kjo, unë besoj se çdokush që kërkon të ndërhyjë dhe të trazojë situatat e sigurisë apo situatat e ekuilibruara tashmë në Ballkan, dhe kur them tashmë kam parasysh Ballkanin e 20 viteve më përpara që ishte shumë i trazuar, unë besoj që do të marrë përgjigjen që meriton.

Ballkani vazhdon të mbetet një qoshe e Europës shumë e rëndësishme, këtë e tregon edhe fakti që misioni më jetëgjatë i NATO-s është pikërisht në Ballkan, ai i KFOR. I cili do të vazhdojë të ketë dhe të mbajë detyra dhe përgjegjësi të mirëpërcaktuara me qëllim mbajtjen e stabilitetit në këtë rajon. Ky mision nuk mjafton. Puna jonë e përbashkët i bashkangjitet këtij misioni dhe e bën rajonin përtej gjithë problematikës dhe politikës së brendshme që konsumon, një rajon të sigurt, jo vetëm përballë sulmeve që vijnë nga Lindja, por sigurisht edhe përballë sulmeve që vijnë edhe nga Jugu.

Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë sepse rruga jonë Euro-Atlantike e vendeve që aderojnë ose janë pjesë e strukturave Euro-Atlantike, është një rrugë pa kthim.

Ministri Malazez Boshkoviç: Kur bëhet fjalë për ndikimin rus është i pakundërshtueshëm fakti që forca të sigurisë ruse janë përpjekur që të ndërhyjnë në mënyrë të dhunshme në zgjedhje dhe me këtë çështje merren sistemet institucionale malazeze. Prokurori i çështjes jam shumë i bindur që shumë shpejt do të çojë çështjen për gjykim.

Është fakt i pakundërshtueshëm që ne e vuajmë në kurrizin tonë këtë koncept të ri të vllazërisë hibride dhe shpesh në opinionin publik ka dizinformime me qëllim që të krijohet konfuzion në publik dhe hetimet të marrin drejtim krejt tjetër. Por ne jemi të gatshëm dhe do të përpiqemi dhe do të punojmë për ta zgjidhur këtë çështje. Ajo që na shqetëson ne është me të vërtetë rajoni, që gjithmonë ka qenë një problem dhe ka patur probleme destabiliteti gjatë gjithë historisë që njohim.

Pikërisht kjo vizitë sot i fokusohet faktit se si duhet të punojë rajoni. Dhe pikërisht persona siç janë autoritetet e caktuara, siç është zonja Kodheli edhe unë të cilët jemi përgjegjës, të jemi përgjegjës për këtë çështje dhe ne duhet të përcjellim mesazhe se si duhet të punojmë bashkarisht për të ruajtur stabilitetin, paqen në rajon.

Dhe në këtë rajon nuk jetojnë rusët, jetojmë ne dhe ne jemi më shumë të interesuar për të mos krijuar konflikte në rajon. Por sot edhe ne konfirmojmë faktin që jemi të interesuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu për të patur edhe një progres ekonomik në rajon nëpërmjet dy shteteve tona. Jam i bindur se të gjitha këto do të kryhen, dhe ne gjithmonë jemi të gatshëm./Dita.al