Shqipëri-Kosovë, miqësore në Zvicër?

2 vite më parë

Shqipëri-Kosovë, miqësore në Zvicër?

Kombëtarja shqiptare duket drejt përpjekjeve të fundit për të zyrtarizuar edhe kundërshtarin e dytë, me të cilët do të përballët në miqësoret e muajit maj, e me të gjitha gjasat përballë do të jetë Kosova, raporton “Top Channel”.

Pas ndeshjes miqësore të humbur ndaj Norvegjisë, në “Elbasan Arena”, trajneri italian Christian Panucci kishte njoftuar se kuqezinjtë do të zhvillonin një tjetër minifazë përgatitore në Zvicër, e përveç kësaj bëri të ditur se kishin gjetur një kundërshtar, që më pas u mësua të ishte Ukraina e Andriy Shevchenkos, ndërsa po punohej për rivalin tjetër, përcjell albinfo.ch.

Tashmë mësohet se presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka ngarkuar njerëzit përgjegjës në Federatë me mbylljen e përgatitjeve, në mënyrë që në Zvicër, më 29 maj, Shqipëria të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore ndaj pjesës tjetër të kombit shqiptar, Kosovës.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes kishte paralajmëruar se Kosova do të luajë dy miqësore në periudhën mes majit dhe qershorit, si dhe se njëra prej tyre do të luhej jashtë vendit.