Shpërthejnë akuzat për ndikim politik në zgjedhjen e drejtorit të Muzeut

2 muaj më parë

Shpërthejnë akuzat për ndikim politik në zgjedhjen e drejtorit të Muzeut

Një ditë pasi anëtari i Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas , Ajet Leci, është zgjedhur drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, kanë shpërthyer akuzat për ndikim politik në këtë proces.

Kundërkandidatët e tij kanë thënë se bëhet fjalë për ndërhyrje politike, përderisa njohësit e trashëgimisë kulturore këtë rast e kanë cilësuar si politizim të institucioneve të kulturës. Vetë Ajet Leci as gjatë ditës së enjte nuk ka qenë i çashëm nëpërmjet telefonit e as nëpërmjet mesazheve elektronike, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përderisa Ministria e Kulturës, që udhëhiqet nga anëtari tjetër i PDK-së, Kujtim Gashi, e Këshilli Drejtues i MKK-së kanë thënë se nuk bëhet fjalë për ndikim politik, për shumëkënd ky proces vetëm transparent nuk është.

Ajet Leci kishte marrë më së paku pikë në testin me shkrim nga 5 kandidatët që u kualifikuan për intervistim. Ai kishte dy pikë më shumë se pragu minimal, 52. Radhitja sipas më shumë pikëve në testin me shkrim ishte bërë duke filluar nga Fatmir Hoxha, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Arben Arifi dhe pastaj Ajet Leci.

Sali Shoshi, drejtor i Degës në Kosovë i organizatës joqeveritare “Trashëgimia kulturore pa kufij”, ka thënë se një përzgjedhje si ajo që është bërë të mërkurën do ta vazhdojë agoninë në të cilën ndodhet Muzeu. Sipas tij, punësimet partiake nuk sjellin individë profesionalë në pozita të cilat janë vitale për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Nëse ka punësime partiake njerëzit nuk janë të barabartë, e kur nuk janë të barabartë atëherë edhe eliminohet mundësia me zgjedh njerëz të kualifikuar. Nëse vlen vetëm parimi i partisë, atëherë kjo tregon që njerëzit e kualifikuar e që munden me qenë profesionistë për me e menxhua një institucion janë të përjashtuar prej procesit”, ka thënë ai. Sipas tij, punësimet politike kanë edhe disa anë të tjera negative.

“Krejt çka pashë është vlerësimi partiak, ku një person i cili ka pasur shumë pak pikë ka arritur që të zgjidhet drejtor. Pra, asgjë nuk është vlerësuar nga aspekti profesional”, ka thënë ai. Akuza për ndikim politik kanë pasur edhe kundërkandidatët e Lecit.

Sadik Krasniqi, i cili punon tash 19 vjet në Muzeun e Kosovës e që aktualisht është udhëheqës i seksionit të historisë në këtë institucion, ka thënë se MKK-ja është në një udhëkryq, dhe gati në një anarki.

Gazeta ka provuar që të kontaktojë me Selim Bezerajn, kryetar i Këshillit Drejtues të MKK-së, në lidhje me akuzat që i janë bërë këtij institucioni, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Gazeta në lidhje me zgjedhjen e Ajet Lecit drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës ka kontaktuar edhe Samir Hoxhën, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. Ai ka thënë se nuk është kompetent për të biseduar për këtë çështje.

Skënder Boshtrakaj, që ishte emëruar në pozitën e drejtorit më 4 maj 2015 nga Ministria e Kulturës, ishte detyruar që të largohej nga zyra pas tre vjetëve punë si drejtor në atë institucion. Vendimin për largimin e tij e kishte dhënë Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila kishte ardhur në përfundim se emërimi i Boshtrakajt në pozitën e drejtorit të MKK-së ishte bërë në kundërshtim me ligjin.