Shkup: Edhe 2 persona vdesin nga koronavirusi

2 muaj më parë

Shkup: Edhe 2 persona vdesin nga koronavirusi

Edhe dy pacientë të shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup kanë vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 6 numrin e viktimave.

Njëri pacient ishte 31 vjeçar, në gjendje të rëndë, që mbahej me respirator. I riu nga Shkupi, siç njoftoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, nuk kishte ndonjë sëmundje kronike, por ishte obez. Ai ishte shtrirë në spital më 23 mars. Viktima tjetër është një 91 vjeçar.

Ndërkohë, janë diagnostikuar edhe 16 persona të tjerë brenda 24 orëve të fundit duke e çuar në 257 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me COVID-19.

Në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup janë shtruar 49 pacientë, 7 prej të ciëve janë në gjendje më të rëndë, me pneumoni, ndërsa për momentin nuk ka pacientë që mbahen me respiratorë për frymëmarrje, tha ministri, duke lënë të kuptohet se gjendja e personave të tjerë në spital është e qëndrueshme.

Të infektuarve me koronavirus e që nuk kanë probleme kardiovaskulare po u jepet Sumamed, një medikament i njohur për trajtimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe mushkërive.

Dy pacientë edhe gjatë testimit të dytë kanë rezultuar negativë dhe brenda dy a tre ditësh shtatë pacientë do të mund të lirohen nga spitali për t’u kuruar në shtëpi.

Ministri Filipçe bëri të ditur se ka urdhëruar shkarkimin e drejtores së spitalit të Ohrit për shkak se nuk ishte pranuar pacienten nga rrethi i Strugës, e cila vdiq nga virusi një ditë më parë në shtëpi.

Masat që kanë vendosur autoritetet maqedonase lidhur me lëvizjen e qytetarëve janë të ashpra sidomos gjatë fundjavës kur ora policore fillon në ora 16 dhe zgjat deri në ora 5. Megjithatë, policia njofton se janë dhjetra persona të cilët nuk e përfillin këtë kufizim dhe ata gjobiten me para.

Nga ana tjetër, qeveria ka organizuar kthimin me fluturime çarter të shtetasve të cilët ndodhen në vende të huaja, por opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja konservatore ka kritikuar pushtetin duke thënë se “kështu po e shkatërron shtetin”. Ndërkaq, qeveria e konsideron këtë si një trysni ndaj institucioneve nga ana e VMRO-së.

Ata shtetas të cilët kthehen nga jashtë, dërgohen në karantinë 15 ditëshe, ndërsa shpenzimet e aeroplanit i paguajnë vetë./VOA