Shkrimtari kosovar që s’ka konak

2 muaj më parë

Shkrimtari kosovar që s’ka konak

Pakkush mund ta ketë ditur se shkrimtari e dramaturgu i njohur, Albatros Rexhaj, nuk ka konak. Ai bën një jetë boemi dhe konaku i tij është aty ku e zë nata. E pjesën më të madhe të kohës, Rexhaj e kalon në rrugë- veçanërisht në autostradën “Ibrahim Rugova”, e cila e lidhë Kosovën me Shqipërinë. Zatën këtë rrugë, ai edhe e quan si ‘shtëpi të dytë’, shkruan AktivPress.

“Unë kam zgjedhur të jetojë mes dy qyteteve. Jetojë në Prishtinë dhe në Tiranë në të njëjtën kohë. Mëngjesi më zë në Prishtinë, e darka më zë në Tiranë…Ky është stili i jetës që mua më përshtatet. Nuk mund të qëndrojë në një vend. Nuk mund të imagjinoj vetën të mbyllur në katër mure”, thotë Rexhaj në emisionin më të ri televiziv “n’Konak” që realizohet nga Gazeta inFokus, e për autor ka Kosovë Gjocin.

Rexhaj e ka të vështirë ta imagjinojë vetën në një lagje ku sa herë që zgjohet në mëngjes t’i shoh të njëjtat fytyra.

“Kam nevojë me pa ndryshime. Kam nevojë me pa dhe me u sprovu me gjëra të reja… Më duket vetja si boem- si personazh i atyre filmave që i kam parë kur kam qenë i ri”, rrëfen artisti kosovar.

Ai thotë se kjo është mënyra e jetës të cilën e ka zgjedhur e që nuk pret që dikush ta kuptoj atë.

“Më pëlqen të jetoj në autostradë. Më merr gjumi dhe fle në hapësirat për ndalesa. Bile policët në Shqipëri janë mësuar tashmë me mua dhe sapo ta shohin makinën thonë: Albatrosi është ky”, thotë buzagaz Rexhaj.

Ai kujton se tashmë ka ndryshuar tradita e konakut në përgjithësi te shqiptarët.

“Sot pakkush i shkon dikujt në shtëpi. Të gjitha takimet, përfshirë edhe drekat familjare bëhën nëpër restorane. Njerëzit shtëpinë e konsiderojnë si një hapësirë shumë private. Nuk është si përpara kur ke shkuar te dikush pa paralajmërim dhe je futur brenda. Sot t’u shkosh njerëzve pa paralajmërim i bën nervoz”, thotë Rexhaj.

Për t’i dhënë kuptim ‘konakut’ të tij, shkrimtari zgjedh një thënie angleze e cila në shqip përshtatet: Konaku im është aty ku është zemra ime.

Për këtë, ai thotë se njerëzit që e duan duhet edhe ta respektojnë mënyrën e tij të të jetuarit./AktivPress/