“Shkëmbimi i territoreve Serbi-Kosovë, propozim i heshtur dhe i pavarrosur”

3 muaj më parë

“Shkëmbimi i territoreve Serbi-Kosovë, propozim i heshtur dhe i pavarrosur”

“Natyra e vështirë e mosmarrëveshjes, që zgjat prej dekadash në Ballkan, po detyron ligjvënësit të marrin në konsideratë zgjidhje që komuniteti ndërkombëtar i ka shmangur prej kohësh.”

Kështu e fillon shkrimin e saj “Newsweek”, e cila nënvizon se Serbia ka punuar në heshtje për një shkëmbim territoresh me Kosovën, e duket se propozimi nuk është i varrosur.

Thënë më thjeshtë, një pjesë e veriut të Kosovës mund të këmbehet për një copë të Serbisë Jugore.

Ky shkëmbim sipas “Newsweek” mund të hapë rrugën që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, gjë e cila do t’i çonte të dyja vendet më afër qëllimit të tyre për t’iu bashkuar BE-së.

Disa analistë argumentojnë se, një shkëmbim territoresh do të ketë pasoja në të gjithë rajonin, me Bosnje-Hercegovinën më të rrezikuarën.

Edhe Kisha Ortodokse serbe e kundërshton idenë, pasi pjesa më e madhe e trashëgimisë së saj kulturore është e përhapur nëpër Kosovë, e çdo vendim që do të çonte në njohjen e Kosovës nuk mund të jetë i pranueshëm për të.

Qëndrimet shfaqen krejtësisht të ndryshme në qarqet politike në Uashington, e madje edhe mes disa politikanëve në Prishtinë.

Ish-ambasadori britanik në Jugosllavi, Sir Ivor Roberts ka argumentuar publikisht se një shkëmbim territoresh do të ishte e vetmja mënyrë për të bindur Serbinë që të njohë Kosovën.

Sa i takon Departamentit Amerikan të Shtetit, ende nuk ka dhënë koment për këtë propozim.

SHBA-ja e ka kundërshtuar deri më tani ndarjen, por disa analistë thonë se kjo po ndryshon nën administratën e presidentit Trump. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie refuzoi në një intervistë të dhënë në korrik që të përjashtonte mundësinë se Uashingtoni mund të mbështeste ndarjen e Kosovës.

/dita/