Shkëlqimi te Drenica po e përcjell Ukën edhe te Prishtina

4 muaj më parë

Shkëlqimi te Drenica po e përcjell Ukën edhe te Prishtina

Herët në qershor, me Kreshnik Ukën, kishin nisur ndryshimet e mëdha te Prishtina. Sulmuesi i krahut u transferua te Prishtina nga Drenica dhe ishte lojtari i parë i angazhuar për edicionin e ri.

Vetë 24-vjeçari nga Skenderaj kishte pasur fillim të furishëm te skuadra e re. Ndaj St Joseph’s në ndeshjen e parë të raundit parakualifikues të Ligës së Evropës ishte paraqitur fuqishëm në pjesën e parë. Kishte rrezikuar disa herë dhe kishte goditur traversën. Në pjesën e dytë nuk vazhdoi njëjtë, ndërsa skuadra mori vetëm një barazim 1:1. Në Gjibraltar, paraqitja e Prishtinës ishte e zbehtë dhe skuadra u eliminua pas humbjes 2:0, shkruan Koha Ditore.

Pas Ukës, lojtarë të tjerë erdhën te Prishtina, disa me më tepër nam, ndërsa pasuan edhe largime e pensionime të lojtarëve. Prishtina po vazhdon punën për t’u përgatitur për edicionin e ri, ndërsa Uka po vazhdon të japë më të mirën për të zënë vend në skuadrën e re. Me gjithë ardhjet e shumta dhe konkurrencën e madhe për një vend në përbërjen bazë, ish-lojtari i Drenicës ka startuar në të gjitha ndeshjet e deritashme, duke përfshirë ato në Evropë dhe ato përgatitore, pos në njërën për shkak të problemeve fizike.

“Jam i kënaqur me fillimin e karrierës te Prishtina. Kam nisur menjëherë me ndeshje të rëndësishme evropiane. Mendoj që kemi pasur paraqitje të mirë ekipore në atë ndeshje, sidomos në pjesën e parë, por rezultati nuk ishte ai që kemi dëshiruar”, ka thënë Kreshnik Uka në një bisedë për gazetën.