Shi dhe paralajmërim për vërshime, këto janë temperaturat për sot

1 muaj më parë

Shi dhe paralajmërim për vërshime, këto janë temperaturat për sot


Sot parashihet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, deri sa në viset e larta reshjet e shiut do të jenë në formë bore, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Reshjet në rrafshin e Dukagjinit parashihen të jenë të intensitetit mesatar deri të lartë, ndërsa në rrafshin e Kosovës parashihen reshje të intensitetit të ndryshueshëm.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 6-8 gradë Celsius.

Kushtet biometeorologjike do të jenë relativisht të mira për shkak prezencës aktive të elementeve dhe dukurive meteorologjike.

Java e ardhshme fillon me reshje dhe ulje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-8m/s.

Ndërkohë, IHK dje ka paralajmëruar se si pasojë e reshjeve të shiut që kanë filluar, mund të ketë vërshime në zona të caktuara të vendit.

“Reshjet të cilat pritet të fillojnë nga datë 23/01/2021, fillimisht do të përfshinë pjesën perëndimore të Kosovës (Brezin malorë të Alpeve Shqiptare), do të shtrihen gradualisht kah lindja, fillimisht me intensitet mesatarë deri të lartë, duke përfshi disa pjesë të komunave si: Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec, Therandë, Mamushë, Prizren, Dragash etj, të cilat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta. Ky është njoftimi formal për këtë ngjarje dhe se kjo nuk do të thotë se do të ndodhë përmbytja e shpejtë, por ajo është e mundur”, thuhet në njoftim.