Shëngjini me sytë nga Kosova për sezonin turistik të këtij viti

1 muaj më parë

Shëngjini me sytë nga Kosova për sezonin turistik të këtij viti

Shqipëria të hënën hap kufijtë tokësorë me vendet fqinje, njëherësh edhe sezonin turistik. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një takimi që zhvilloi të dielën me operatorët turistikë në Vlorë, ka shpjeguar se vendimi i parë i njoftuar është shtyrja e sezonit deri në datën 15 nëntor, për t’ua mundësuar bizneseve të rikuperojnë kohën e humbur nga pandemia COVID-19.

Në bazë të rregullave të reja, të gjitha restorantet dhe hotelet do të duhet që të aplikojnë nga 1 qershori në e-Albania për të marrë licencë. Ministri paralajmëroi se nëse do të konstatohet shkelje e protokollit shëndetësor do të ketë gjobë dhe pezullim të licencës.

“Në e-Albania aplikimet nisin nga 1 qershori deri më 15 qershor, në mënyrë që më 1 korrik gjithçka të jetë gati. Aplikimi në e-Albania është shumë i thjeshtë, aplikohet dhe nga telefoni. Vendos numrin e NIPT-it, që do të dëshmojë që posedon një hotel, vetë deklarimin e kushteve të higjienës”, u shpreh ministri më tej.

Klosi bëri gjithashtu me dije se raporti për hapësirën e plazhit do të jetë 80% publik dhe 20% privat, ndërsa prioritet për të marrë stacion plazhi do të kenë hotelet dhe restorantet, raporton KOHA.

Ministri Klosi, duke marrë shembull Kavajën, tregoi hartën me ndarjet, teksa zonat e ngjyrosura me të verdhë do të jenë për biznesin, ndërsa zonat jeshile për qytetarët. Të parët në përzgjedhje do të jenë hotelet e vijës së parë, vetëm për sipërfaqen përpara ballore. Pas hoteleve të vijës së parë, do t’u kërkohet të tjerëve të aplikojnë që ndodhen në vijën e dytë. Më pas do të jetë mundësia e restoranteve për të aplikuar për zonën e caktuar si të verdhë. Brenda kësaj hapësire të verdhë për biznesin, 20% do të jetë e lirë për qytetarët.

Por çfarë do të ndodhë në një zonë si Gjiri i Lalzit që nuk ka hotele si në zonën e Shkëmbit të Kavajës, për shembull? Klosi sqaroi se në këtë rast, ndarja e parcelës në vijën bregdetare do të bëhet duke ua lënë të drejtën për të zgjedhur restoranteve me mbi 20 tavolina.