Shefi i AKI-së, mos të jetë në shërbim të partive

3 vite më parë

Shefi i AKI-së, mos të jetë në shërbim të partive

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë ka kërkuar që Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) mos të jetë në shërbim të partive politike.

Kështu ka thënë kryetari i Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Haxhi Shala, pas takimit me drejtorin e ri të AKI, Driton Gashi, i cili ka qenë i ftuar të raportoj para anëtarëve të këtij komisioni, raporton Ekonomia Online.

Shala ka theksuar se patën një takim njohës me drejtorin e ri të AKI-së për tu informuar me gjendjen si e ka gjetur këtë institucion dhe si t’i qaset agjencisë për përparim të saj.

“Kemi kërkuar nga drejtori i AKI-së që mos të jetë në shërbim të partive politike, sepse institucionin që e udhëheq ai është i ndjeshëm dhe besoj që me përvojën e tij që ka pasur në MPB do të jetë korrekt me punën që do ta bëjë në AKI”, ka thënë Shala.

Ai ka theksuar se “me rëndësi është që Agjencia është duke punuar mirë, ku edhe drejtori tha se ka gjetur institucionin edhe më mirë se sa që e ka paramenduar nga jashtë”.

“Mbetet të shohim deri në raportimin e ardhshëm për disa sfida dhe probleme të vogla që kanë ndodhur në këtë institucion”, ka thënë Shala.

Sa i përket aktakuzës që ka pasur drejtori  AKI-së, ai ka thënë se gjatë takimit është pyetur nga deputetët lidhur me aktakuzën ndaj tij, “ai ka thënë se është paditur nga një zyrtar i MBP-së, gjoja për diçka të padrejtë ndaj tij, dhe për mungesë të fakteve Prokuroria e ka mbyllur atë rast”.