SHBA vë sanksione ndaj të dyshuarve në rastin Pronto, njëri prej tyre po qëndron në Nju Jork

1 javë më parë

SHBA vë sanksione ndaj të dyshuarve në rastin Pronto, njëri prej tyre po qëndron në Nju Jork

Ambasada e SHBA-së ka vendosur t’ua ndaloj hyrjen në Amerikë të gjithë politikanëve dhe personave të tjerë që janë të përfshirë në krime e në afera korruptive në Kosovë. Kjo amabasadë ka specifikuar edhe rastet për të cilat vazhdon të jetë e shqetësuar që akterët e dyshuar ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar, shkruan AktivPress.

Mes rasteve të përmendura është edhe “rasti Pronto”. Në mesin e 11 të akuzuarve në këtë rast janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Dhe pikërisht në kohën kur SHBA ka vendosur të mos u jap më vizë personave të tillë, njëri nga ta është pikërisht në Nju Jork. Bëhet fjalë për ministrin, Besim Beqaj. Ai është duke marrë pjesë në Konferencën botërore për inovacion dhe digjitalizim “Smart Cities New York”.  Prania e tij në Nju Jork dëshmohet nëpërmjet fotove që vet Beqaj i ka postuar në Instagram.

“30 biznese nga Kosova përfaqësojnë Kosovën krahas shumë kompanive të mëdha botërore, në tri ditët e ardhshme në @smartcitiesny , me mbështetjen financiare të Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, ka shkruar Beqaj.

Në këtë konferencë, ai ka qenë edhe pjesë e një paneli. “Në panelin e sotëm ‘Bashkëpunimi, si mundësi për rritje ekonomike’ theksova progresin e Kosovës në këtë fushë dhe mundësitë që ofron ambienti i të bërit biznes në vendin tonë për investitorët e huaj”, ka theksuar Beqaj.

Por, a do të jetë kjo vizita e fundit e tij në Nju Jork?!

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.

Kjo Ambasadë thotë se është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm./AktivPress/